
Ish-kryeministri Silvio Berlusconi po përgatitet për fushatën e zgjedhjeve parlamentare që Italia mban në mars të këtij viti. Duket se një nga kundërshtarët që ish-kryeministri do të godasë gjatë fushatës është Lëvizja 5 Yjet.
“Ata janë më të rrezikshëm se komunistët në vitin 1994. Atëherë i dola përballë fitores së partisë komuniste. Falë krijimit të Forza Italia-s, arritëm të shmangnim këtë rrezik të madh. Por sot në fushë ka zbritur një formacion më i rrezikshëm, që i ngjan më shumë një sekti se një partie”, tha ai në emisionin e së dielës “Domenica live".
Sipas Berlusconi-t, fitorja e Lëvizjes 5 Yjet do të ishte katastrofike për Italinë. “Nëse do të fitojnë ata, mund të sjellin në qeverisje eksponentë më të këqinj se magjistratura ushtarake. Në këto kushte, të mos votosh është njësoj si të vetëvritesh. Fitorja e Lëvizjes 5 Yjet do t’ua dorëzonte Italinë jo vetëm disa njerëzve të papërgatitur, por edhe plot me mllef ndaj atyre që janë të pasur”, tha ai.
Ndërsa në lidhje me alternativën që Forza Italia i ofron vendit, Berlusconi e vuri theksin te siguria dhe emigracioni.
“Çdo 20 sekonda ndodh një krim, çdo 4 minuta vidhet një dyqan dhe çdo dy ditë ndodhin 3 grabitje banke. Kjo sepse kriminalitetit që kemi pasur në Itali i është shtuar edhe kriminaliteti i 466 mijë emigrantëve, që për t’u ushqyer janë të detyruar ta bëjnë këtë punë”, tha ai.
Berlusconi propozon kërkesa drejtuar BE-së për ndalimin e fluksit të emigrantëve. “Karabinierët thonë se gjëja e parë që emigrantët fusin në shtëpi sa vijnë këtu është frigoriferi. Ne duhet të negociojmë me Evropën për të përcaktuar traktatet me vendet bregdetare dhe të vazhdojmë t'i kthejmë mbrapsht këta emigrantë. Sot vendet fqinje i kanë mbyllur kufijtë. Duhet të rikthejmë prezencën e shtuar të policisë dhe karabinierëve nëpër qytete”, ka thënë ai. / La Repubblica.it /



