Punëtorë nga Filipinet e Bangladeshi/ Aga: Tregu po mbushet me të huaj. Sakollari: Emigrimi po tkurr popullsinë

Punëtorë nga Filipinet e Bangladeshi/ Aga: Tregu po mbushet me të huaj. Sakollari: Emigrimi po tkurr popullsinë

Rënia e numrit të të punësuarve, largimi i vazhdueshëm i shqiptarëve dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar po e detyrojnë biznesin të kërkojë zgjidhje jashtë vendit. 

 

Rekrutimi i punonjësve nga vende si Filipinet, India, Indonezia apo Turqia është bërë tashmë një praktikë e zakonshme për shumë sektorë të ekonomisë shqiptare. 

 

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk e zgjidh problemin afatgjatë të tregut të punës, ndërsa Shqipëria vazhdon të humbasë kapitalin e saj njerëzor.

 

E ftuar në MCN Economy, sipërmarrësja në tregun e punës, Suzana Aga, tha se kërkesa për punonjës të huaj është rritur ndjeshëm vitet e fundit, si pasojë e emigrimit të shqiptarëve.

 

Ka një ngërç të madh për shkak të largimit të shqiptarëve dhe kjo ka detyruar bizneset të orientohen drejt punësimit të të huajve. Vetëm gjatë vitit të fundit kemi kaluar nga rreth 7 mijë në afro 10 mijë leje qëndrimi. Kryesisht punojmë me Filipinet dhe Indinë, pasi Shqipëria ofron procedura më të lehta për marrjen e vizave krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit. Sot nuk importojmë vetëm punonjës të pakualifikuar, por edhe specialistë, nga hidraulikë deri te menaxherë, ku dominon fuqia punëtore nga Turqia.

 

Sipas saj, tregu shqiptar ka ndryshuar ndjeshëm dhe në shumë profesione punonjësit vendas janë zëvendësuar tashmë nga të huajt.

 

Nuk bëhet fjalë vetëm për sektorin e hotelerisë. Sot kemi punonjës të huaj në furra buke, kasapë, parukeri, qendra estetike dhe në kompanitë e prodhimit. Operatorët vijnë kryesisht nga India, në hoteleri dominojnë punonjës nga Indonezia, ndërsa kasapët janë kryesisht filipinas. Pagat kanë pësuar rritje, edhe pse kjo nuk reflektohet plotësisht. Nga ana tjetër, punonjësit e huaj kanë disa përfitime që nuk i kanë shqiptarët, si akomodimi, interneti apo shpenzime të tjera të mbuluara nga punëdhënësi. Për këtë arsye, në shumë raste një punonjës i huaj i kushton më pak biznesit sesa një shqiptar në të njëjtin pozicion pune", tha ajo.

 

Aga shtoi se Shqipëria po përdoret edhe si vend tranzit nga shumë shtetas të huaj që synojnë të largohen drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

 

"Shqipëria është përdorur shpesh si trampolinë drejt Greqisë apo Italisë. Për këtë arsye, vende si Bangladeshi, Nepali dhe Kameruni janë futur në listën e zezë, pasi shumë shtetas i kanë përdorur lejet shqiptare vetëm për të vijuar emigrimin. Biznesi tashmë di ku të rekrutojë, por lëvizjet mbeten të shumta. Problemi fillestar është gjuha, megjithëse kjo varet edhe nga pozicioni i punës. Në administratë është më e vështirë të integrohen, ndërsa në profesione të tjera si sanitare apo prodhim përshtatja është më e lehtë.

 

Nga ana tjetër, pedagogia e ekonomisë Valbona Sakollari theksoi se punësimi i të huajve nuk mund të kompensojë humbjen e vazhdueshme të popullsisë aktive shqiptare.

 

Prej vitesh flitet për zëvendësimin e forcës punëtore me të huaj. Para pesë vitesh numri i emigrantëve që vinin për të punuar në Shqipëri ishte shumë i ulët dhe vetëm atëherë nisi të diskutohej seriozisht kjo alternativë. Megjithatë, raporti mbetet shumë i pabarabartë. Shqipëria vazhdon të humbasë shumë më tepër qytetarë sesa fiton punonjës të huaj. Ata plotësojnë disa boshllëqe, kryesisht në shërbime, turizëm dhe ndërtim, por nuk bëhet fjalë për fuqi punëtore të kualifikuar, ndërkohë që pikërisht mungesa e profesionistëve është një nga problemet më të mëdha të ekonomisë shqiptare.

 

Ajo nënvizoi se tkurrja e popullsisë dhe niveli i ulët i pagave po ndikojnë drejtpërdrejt në largimin e të rinjve.

 

Popullsia e Shqipërisë është zvogëluar me rreth 27 mijë banorë dhe kjo reflektohet menjëherë në tregun e punës. Të rinjtë zgjedhin vende që u ofrojnë paga dhe kushte më të mira, ndërsa ekonomia shqiptare vazhdon të përballet me probleme strukturore. Rritja ekonomike nuk është aq cilësore sa duket në shifra, ndërsa rritja e pagave është konsumuar pothuajse tërësisht nga rritja e çmimeve. Cilësia e jetës mbetet minimale dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse shqiptarët vazhdojnë të emigrojnë. Po aq problematike mbetet edhe mungesa e sigurisë juridike.

 

Në përfundim, Sakollari tha se vendi ka nevojë për politika që mbështesin kapitalin njerëzor dhe frenojnë largimin e të rinjve.

 

Një nobelist ka thënë se njerëzit votojnë me këmbë. Në momentin që largohen nga vendi, ata kanë dhënë votën e tyre. Pikërisht kjo po ndodh me Shqipërinë. Përveç kësaj, shoh edhe një lloj diferencimi mes punonjësve shqiptarë dhe atyre të huaj. Politikat publike duhet të fokusohen te mbështetja e trurit dhe fuqisë punëtore shqiptare, nëse duam një treg pune të qëndrueshëm.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy