Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar edhe një herë nismën “Ballkani i Hapur” duke theksuar se është Serbia që duhet të hapet ndaj Kosovës. Kurti vuri në dukje dallimet në qëndrime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku Beogradi ka qenë në anë të Rusisë dhe jo Ukrainës.
“Nuk besojmë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit, Ballkani nuk përbëhet vetëm nga 6 shtete në përgjithësi. Ballkani Perëndimor ende i paintegruar në BE përbehet nga 6 shtete me ç’rast këto s’mund të trajtohen bashkë, sepse kemi shtete që nuk e kanë dënuar dhe s’kanë vënë sanksione ndaj Rusisë. Ka shtete në Ballkanin Perëndimor që janë në anën e Ukrainës, dhe kemi shtete si puna e fqinjit tonë verior që është në anën e federatës ruse dhe presidentit despotik të saj. Për të pasur Ballkan të Hapur, është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës”, tha Kurti.
“Nëse një qytetar i Kosovës dëshiron të shkojë në Serbi dhe qoftë për të vizituar të afërmit në Preshevë, Medvegj e Bujanoc, apo për të kaluar transit nëpër atë shtet, nuk i pranohet pasaporta, nëse e tregon kartën e identitetit, ajo merret vetëm për t’i thithur të dhënat biometrike”, tha kryeministri i Kosovës.



