Gjuhëtari Aristotel Spiro tha në emisionin “Arnautistan” se është gjë e gabuar që të vihet në dyshim standardi i gjuhës shqipe, pasi është shumë i ri dhe duhet mbrojtur.
Megjithatë ai tha se duhen bërë ndryshime lidhur me fjalët e reja që kanë hyrë nga kontakti jonë me kulturat e huaja.
Spiro theksoi se “duhet të hapemi duke respektuar kulturën kombëtare”.
Nëse vihet në dyshim standardi kjo është gjë shumë e gabuar. Mendimi im është që drejtshkrimi duhet mbrojtur sepse është shumë i ri. 50 vjet janë shumë pak. Përkundrazi duhet ta mësojmë drejtshkrimin, dhe këtu ka rol shkolla. Duhet të jetë në radhë të parë mësuesi i qartë, mësuesi i përgatitur që t’ua mësojë nxënësve. Lënda e gjuhës shqipe duhet futur në shkollat e mesme, si dikur, dhe duhet të jetë themelore. Nuk shoh nevojë për ndryshimin e disa formave që praktika e shqipes i ka afirmuar si forma normale. Ajo që duhet ndryshuar ka të bëjë me elementët e reja, fjalët e reja që kanë hyrë. Kemi një kontakt të jashtëzakonshëm me kulturat e huaja, s’mund ta përballojmë me frikë. Duhet të hapemi duke respektuar kulturën kombëtare”.



