
Firmosjen e projektit për zhvillimin e portit turistik të Durrësit, ditën e sotme, gazetari Klodian Tomorri e sheh si shoun e radhës. Në studion e lajmeve, Tomorri shpjegoi se ky projekt do të funksionojë sipas modelit të njohur të kullave apo pallateve: parapaguhet nga blerësi dhe me ato para financohet ndërtimi.
Është firmosja e asaj që cilësohet si marrëveshja përfundimtare e projektit, që i hap rrugë fillimit të punimeve në terren. Është shfrytëzuar edhe kjo për shou, siç ndodh shpesh me qeverinë shqiptare. Vetëm për projektin e portit të Durrësit janë nënshkruar marrëveshje me shifra dyshifrore. Jemi në këtë që përbën hallkën e fundit. Pas miratimit të marrëveshjes dhe ligjit përkatës në Parlament, i hapet rrugë projektit.
Shuma qëndron në fuqi, sepse ai është masterplani mbi të cilin ndërtohet projekti. Mënyra e financimit është që nga aksioneri vijnë vetëm 3% e këtyre parave që investohen. Janë qytetarët që parapaguajnë për të rezervuar apartamente apo njësi biznesi. Është një model i ngjashëm me atë të kullave apo pallateve, kur merret leja e ndërtimit, hapet gropa dhe me paratë e blerësve financohet ndërtimi. Në rastin e portit ka nisur prenotimi masivisht, edhe pse projekti nuk ka nisur ende.
Ne nga çfarë kemi parë, ka një masterplan dhe një marrëveshje mes palëve. Nuk dimë se për çfarë e ka fjalën Alabar, kur thotë se këtu një pjesë e teknologjive janë më të përparuara se Dubai. Kjo do të bënte sens në ndërtimin e një fabrike, kompleks biznesesh që aplikojnë teknologji të lartë dhe shtojnë vlerë në ekonomi. Në këtë rast është njësoj si një modeli me të cilin ndërtohen apartamente dhe u shiten qytetarëve. Mbeten thjesht njësi banimi, thjesht kulla. Sipas projektit, dendësia e kullave është shumë e lartë për një mjedis bregdetar. Por kjo shpjegohet me faktin se kompania do të fitojë sa më shumë, kjo edhe në kurriz të mjedisit.
Tomorri tha se pavarësisht se projekti po përparon, ajo që mbetet e pandryshuar është mungesa e transparencës nga ana e qeverisë shqiptare.
Është e ditur që ky projekt ka pasur mungesë transparence dhe deklarime të pavërteta publike. Kur u iniciua u tha që do të ishte Emar. Në fakt Emar nuk është fare. Fillimisht ishte një kompani offshore, më vonë dy kompani të tjera nga Emiratet, pa historikun dhe seriozitetin e Emarit dhe më pas negociata, gjithashtu me mungesë transparence.
Sipas tij, shifrat tregojnë se shteti shqiptar do të përfitojë shumë më pak se çmimi i tregut në këtë fushë, duke dhënë në këmbim një pasuri.
Në finale pavarësisht asaj që thotë qeveria, fakti është që mbetet një projekt ku qeveria falë një sipërfaqeje toke çmonton një nga asetet më të rëndësishme të vendit, për t’ia falur tokën një investitori që do të ndërtojë kulla dhe qeveria do të marrë 33 % të fitimit. Në Shqipëri, marrëveshjet mes pronarëve dhe ndërtuesve, pronari përfton gati gjysmën e pallatit. Në rastin konkret, qeveria po e jep tokën po nuk merr as 30% të sipërfaqe së ndërtuar, por 30% të fitimit neto. Përfitimi i shtetit shqiptar nga ky projekt është shumë më i ulët sesa çmimi i tregut për këtë fushë, për këto projekte.



