Në zyrat e njësive bashkiake të Tiranës janë vendosur 10 kioska dixhitale, por akoma nuk janë vënë në funksionim. Shërbimi që do të gjenerojë dokumentet e certifikata, vjen në një kohë kur fluksi në sportele është thuajse i papërfillshëm, kjo për shkak edhe të zgjerimit të portalit E-albania.
Pranë zyrave të njësive bashkiake, janë instaluar këto ditë makinetat që do të shërbejnë për lëshimin e dokumenteve në një formë më shpejtë dhe pa praninë e punonjësve të autorizuar. Shërbimi E-kiosk është i treti në radhën e shërbimeve, pas atij klasik që ofrohet në sportele dhe portalit e-albania që ofron sot 1277 shërbime pa pagesë. I planifikuar për t’u vënë në zbatim nga muaji janar, 10 kioskat dixhitale do të vihen në përdorim gjatë ditëve në vijim, dhe për bashkinë e Tiranës një vonesë e tillë ka ardhur për arsye teknike. Por, pavarësisht nga kjo, në statistikat e dala nga portali e-albania vihet re një rritje e numrit të përdoruesve, ku në statistika mujore, aplikimi për dokumente që lëshohen edhe në zyrat e gjendjes civile në vend i kalon 200 mijë. Një përgjigje për uljen e fluksit e jep edhe kjo punonjëse në njësinë bashkiake nr.2, Tiranë.
Një fakt të tillë e konstatojnë edhe qytetarët, kryesisht mosha madhore, të cilët thonë se i drejtohen zyrave të gjendjes civile për shkak se e kanë të vështirë të përdorin formatin online.
Kioskat elektronike morën aprovimin për tu vendosur pranë njësive bashkiake, në muajin gusht 2017 përmes një tenderi të kërkuar nga bashkia e Tiranës me fond limit 17.470.000 lekë, ndërsa qeveria kishte avancuar mjaft me lëshimin e dokumenteve me vulë dixhitale pa pagesë, madje duke kërkuar nga institucionet që të gjenerojnë vetë dokumentet për llogari të aplikantëve. Për këtë fakt, drejtori i IT-së në Bashkinë e Tiranës, Ermir Puka është shprehur se nuk mund të konsiderohet përplasje, pasi të dyja janë shërbime plotësuese të njëra-tjetrës.
Ndërkohë, në vazhdën e reduktimit të procedurave burokratike në ministrinë e Mjedisit, zv/kryeministrja Senida Mesi ka njoftuar dhe përshendetur eliminimin e 1400 dokumenteve, të cilat nuk do t’ju kërkohen më qytetarëve. Në këtë kuadër, nisma e bashkisë duket se nuk do ta konkurrjë dot platformën e qeverisë, e cila sot ka avantazhin në kohë dhe në shkallë kombëtare.



