
Qeveria turke planifikon të ndryshojë emrin e rrugës në të cilën ndodhet Ambasada Amerikane në Ankara. Por ironia qëndron pikërisht te emri. Rruga “Nevzat Tandoğan” do të quhet rruga “Dega e ullirit”, një mënyrë kjo për të treguar zemërimin ndaj partnerit në NATO.
Lajmin e ka bërë të ditur në “Tuiter” kryebashkiaku i Ankarasë, Mustafa Tuna.
Ai thotë se propozimi për ndryshimin e emrit është firmosur dhe i ka kaluar komisionit përkatës. Ndryshimi i emrit do të hidhet për votim në Këshillin Bashkiak të mërkurën.
Operacioni “Dega e ullirit” nisi në zonën e Afrinit në Siri, më 20 janar. Operacioni ushtarak turk ka për qëllim goditjen e Njësive për Mbrojtjen e Popullit Kurd, YPG. Ankaraja pretendon se YPG-ja mbështetet nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, të cilën Turqia e konsideron organizatë terroriste.
Ndryshimi i emrit të rrugës, duket si një taktikë për t’i dalë kundër presidentit amerikan, Donald Trump. Rasti të kujton vendimin e qeverisë iraniane në vitin 1981, për të ndryshuar emrin e rrugës “Winston Churchill” në rruga “Bobby Sans”, pas grevës së urisë së ushtrisë republikane irlandeze. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



