
Kolesteroli ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe përparimin e Alzajmerit. Ai favorizon formimin e agregatëve toksikë të molekulave të beta-amiloideve në tru. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga Michele Vendruscolo i Universitetit të Kembrixhit. Studimi është botuar në revistën “Nature Chemistry”.
Megjithatë, studimi nuk e lidh direkt kolesterolin e lartë në gjak me sëmundjen e Alzajmerit. “Zbulimi kryesor qëndon në faktin se kolesteroli luan rol kyç në grumbullimin e beta-amiloidit në tru, që do të kërkonte shekuj për t'u bashkuar në mënyrë spontane. Kur kolesteroli është present, ky grumbullim kryhet shumë më shpejt, duke gjeneruar formimin e pllakave në tru”, thuhet në studim.
Kolesteroli është një përbërës i rëndësishëm i membranës së neuroneve dhe gjendet në përqendrim të kontrolluar sidomos në vezikulat sinaptike. Këto “flluska” mikroskopike që shërbejnë për lëshimin e molekulave të komunikimit të trurit (neurotransmetuesit); molekulat beta-amiloide përqendrohen në adfërsi të vezikulave.
Gjatë studimit u vu re se kur kontrolli i përqendrimit të këtyre qelizave kompromentohet nga faktorë të tjerë, si p.sh, plakja, sasia e tepërt e kolesterolit mund të çojë në grumbullimin e beta-amiloideve.
Studiuesit thonë se analiza më të thelluara do të bëjnë të mundur të kuptohet mënyra sesi mund të ndërhyhet në metabolizmin e kolesterolit për ta mbajtur atë në nivele normale. Kjo do të shtonte mundësitë e zbulimit të terapive parandaluese dhe për ngadalësimin e sëmundjes.



