Detaje të reja kanë dalë rreth ngjarjes së mbrëmshme në Shkodër, ku u qëllua me armë zjarri lokali dhe makina e efektivit të forcave “Shqiponja”, Albert Pjetri.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e njohur si rrethrrotulimi tek “5 heronjtë e vigut”, rreth orës 21:30.
Sipas burimeve të TVT mësohet se efektivi i policisë ditët e fundit ka ndaluar teksa ka qënë në shërbim shtetasin Rivaldo Planaj. Ky i fundit ka tentuar qe te mos i bindet policisë dhe ka debatuar me efektivin Pjetri i cili i ka sekuestruar makinën.
Efektivi Albert Pjetri ka deklaruar për kolegët e tij të policisë këtë konflikt të ndodhur me shtetasin Rivaldo Planaj por nga ana tjetër nuk e ka akuzuar drejtperdrejtë se mund të jetë ai autori i ngjarjes por vetëm ka rrëfyer këtë konflikt për shkak të detyrës si efektiv i Shqiponjave.
Lidhur me ngjarjen e mbrëmshme, policia ka shpallur në kërkim Bardhok Planaj, Rvaldo Planaj, Orlando Planaj dhe Mirsad Shtellzaj.
Njëri prej autorëve të dyshuar, Bardhok Planaj, nuk është i pa njohur për komunitetin, pasi njihet edhe ndryshe si “I forti i Shkodrës”.
Policia ka dyshime se bashkëpunëtor në këtë ngjarje mund të jenë edhe tre persona të tjerë, të cilët kanë qënë në të njëjtën makinë me ta kur është qëlluar drejt lokalit të efektivit të “Shqiponjave”
"Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në fshatin Dobraç, ku disa shtetas kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të shtetasit A. P.
Nga strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, falë veprimeve të shpejta hetimore u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit:
R. P., O. P., B. P. dhe M. Sh.
Shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë pasi mbrëmjen e djeshme dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të shtetasit A. P., banues në fshatin Dobraç, Shkodër.
Vijon puna intensive për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes", njoftoi policia.



