Gazetari Arsen Rusta ka dhënë detaje në lidhje me sekuestrimin e një kapital të madh në qytetin e Shkodrës, në pronësi të biznesmenit Ago Gjolaj.
Në total bëhet fjalë për tre biznese, 97 automjete dhe një jaht luksoze, që janë vendosur nën sekuestro preventive.
Në një raportim për Mcn Live Rusta bën me dije:
"Janë vendosur në sekuestro duke u ngrirë një kapital mjaft i madh në qytetin e Shkodrës. Bëhet fjalë për biznesmenin Ago Gjolaj, i cili njëherësh është edhe pronar i kompanisë ‘8S2’, për të cilën Prokuroria e Shkodrës dyshon se ka origjinë të paligjshme. Kontrabanda me mallra dhe trafiku i lëndëve narkotike në kuadër të një grupi kriminal, kanë bërë që pasuritë e Ago Gjolajt, përkatësisht kompanitë e tij, 3 biznese, 97 automjete dhe një jaht luksoz, i cili është hetuar më parë nga autoritetet malazeze, tashmë janë ngrirë, janë në një masë preventive të sekuestros. Do të duhet që biznesmeni Gjolaj dhe dy vëllezërit e tij, me të afërt të familjes, të justifikojë para hetuesve origjinën e tyre. Sipas prokurorisë tashmë është e vërtetuar se origjina është pastrimi i parave dhe kontrabanda. Do duhet që në hetimin gjyqësor biznesmeni të justifikojë këto asete.
Aktiviteti i kompanisë daton më shumë se një dekadë më parë. Hetimet kanë nisur pas informacioneve nga Policia e Shtetit, Interpol, dhe Policisë malazeze. Momentalisht asetet do jenë në përdorim nga të njëjtit pronarë, ndërsa procedurialisht nuk mund të tjetërsohen. Do të kalojnë apo jo për llogari të shtetit, do të jetë hetimi që do ta përcaktojë, deri në këto momente ka marre miratim nga gjykata vetëm për sekuestro preventive”.



