
Në konferencën me temë “Drejtësi në Kohë sfidash”, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se Sali Berisha mbetet “elefanti në dhomë” i drejtësisë së re. Manja tha se kjo e fundit duhet të hapë “petët e lakrorit” për ish-kryeministrin për një sërë çështjesh që nisin nga 21 janari, tragjedia e Gërdecit, aferat e ÇEZ/Dias etj.
Pjesë nga fjala e ministrit
Ai zotëria i shpallur “non grata”, si kalorës i korrupsionit dhe kundër demokracisë nga aleati jetik i vendit dhe kombit tonë, nuk është problemi i Amerikës, por i Shqipërisë. Shqiptarët meritojnë të dinë si qëndron drejtësia e re në raport me këtë çështje të rëndë për shtetin shqiptar, të cilën Qeveria Amerikane e ka thënë shumë qartësisht se u takon institucioneve shqiptare ta hetojnë dhe ta gjykojnë!
Zotëria është i famshëm për karshillëkun e tij ndaj ligjit dhe organeve të drejtësisë, të cilave u ka përplasur deri edhe derën në fytyrë, duke penguar ekzekutimin e urdhërave të tyre pas vrasjes së katër qytetareve në bulevard. Nuk është thirrur megjithatë kurrë nga organet e drejtësisë, as për ato vrasje, as gjithë atë shpërthim kriminal municionesh që hodhi në erë qindra shtëpi e mori dhjetra jetë njerëzish, as për të tjera skandale korruptive marramendëse, ku mbiemri i tij ka qenë qershia mbi tortën e babëzisë!
Madje mund të them, meqë kemi dhe titullin e konferencës të tillë, ai jo vetëm nuk është pyetur kurrë nga organet e drejtësisë deri më sot, por e sfidon vetë sensin e drejtësisë, duke anatemuar deri institucionet e reja të drejtësisë.
Unë vërtetë kam një karrierë të tërë në prokurori, po këtu as nuk po bëj prokurorin, as po ngre akuza! Nuk po bëj as gjykatësin dhe as po shpall fajtorë. Por po bëj hapur, troç, me zë të lartë, atë pyetje që bëjnë shqiptarët prej kaq shumë vitesh dhe sot edhe më shumë se dje, qëkur ndodhi shpallja "non grata" e Sali Berishës:
Ore kur do hapen nga drejtësia e re petët e lakrorit të këtij njeriu që e ka pasur okllainë e pushtetit në dorë kur kanë ndodhur gjëmat dhe skandalet më të mëdha në këtë vend?! Nëse është i pafajshëm siç ulërin me të madhe, dhe një dynja e gjitha, bashkë me vetë shtetin amerikan kanë lajthitur deri në pikën që t'i bien në qafë një plaku qelibar, atëherë le të na e thotë pra drejtësia e re këtë!
Të hetohet roli i tij në 21 janar, të hetohet roli i tij në Gërdec, të hetohet roli i tij në aferat e bujshme të Çez/Dias, apo klubit Partizani, të hetohen edhe burimet financiare të djalit të tij, që atje në Amerikë është bërë edhe personazh filmash e librash... dhe nëse në të gjitha këto punë që nuk duken hiç të bardha, zotëria del i larë, hajde t'i kërkojmë falje dhe t'i kërkojmë edhe Amerikës t'i kërkojë falje!
Po jo kështu; nisen hetime kryesisht për personazhe dytësore e tretësore dhe nuk preken me dorë kallzimet për kryepersonazhin e tragjedive e dramave më të mëdha të këtyre tridhjetë vjetëve, që vazhdon sjell vërdallë jetën publike shqiptare si ata gangsterët e Hollivudit!
Kjo nuk i bën asnjë nder drejtësisë dhe më keq akoma, e minon besimin tek drejtësia e re!



