Ata që duan të largohen nga kjo botë në mënyrën më të lehtë duhet të kenë një shumë prej 8-13 mijë euro në xhep dhe biletën e avionit. Për shkak se eutanazia nuk është miratuar me ligj ose pranohet vetëm në raste ekstreme, shumica e pacientëve të pashpresë europianë i drejtohen Zvicrës për t’iu nënshtruar procedurës që njihet ndryshe si “vdekja e ëmbël”.
Në Zvicër, një sërë klinikash si “Dignitas”, “Eternal Spirit”, “Exit” e “Lifecircle” e ofrojnë këtë shërbim.
Pak ditë më parë, kësaj procedure iu nënshtrua edhe Fabiano Antoniani, një DJ italian, i cili për shkak të një aksidenti rrugor pak vite më parë kishte humbur aftësinë për të lëvizur gjymtyrët dhe kishte të kufizuar edhe ftësinë e të folurit. Me vullnet të plotë, ai u dërgua në Zvicër ku i dha fund jetës. Rasti i tij bëri bujë në mediat italiane gjatë kësaj jave.
Klinikat që kryejnë procedurat e eutanazisë përfshijnë në çmim edhe asistencën mjekësore, psikologjike, praktikat burokratike, transportin e kufomës si dhe shërbimin funeral.
