
Faik Basha Drejtues i departamentit të sigurisë në PL, në MCN Live ka komentuar arratisjen nga burgu Shënkollit një ditë më parë të 49 vjeçarit Daut Laze rast për të cilin 3 punonjës të sigurisë së këtij institucioni janë vënë në pranga për shpërdorim detyre.
Ai tha se i arratisuri përpos dënimit edhe kurohej dhe kjo rrit edhe më tepër rrezikshmërinë për një masë të gjerë qytetarësh, kjo është dhe arsyeja pse policia menjëherë pas ngjarjes ka vënë në dispozicion një shumë parash në këmbim të çdo informacioni.
Kur arratiset një eksponent i rrezikshëm i botës së krimit përkthehet rrezik për kundërshtarët e tij, strukturat ligjzbatuese dhe uniformat, por të dyja këto kanë një masë mbrojtëse sepse strukturat e policisë janë të vetëdijshme dhe të përgatitura për situatën. Ndërsa arratisja e një të dënuari që merrte dhe kurim për probleme të shëndetit mendor vendos në rrezik një masë të gjerë të shoqërisë, gjithë kontakti, miqtë, ata që e kanë denoncuar dhe ata persona që nuk kanë kontakt me të. Pra kemi të bëjmë me një masë më të gjerë të qytetarëve të rrezikuar prej tij. Kjo është dhe arsyeja që policia ka vënë një shumë prej 10 mijë eurosh për çdo informacion për të.
Sa i përket punonjësve të arrestuar për shpërdorim detyre, Basha tha se policia nuk ka bërë ende me dije momentin e arratisjes, teksa theksoi se duhet investuar te burimet njerëzore sepse janë duke u larguar punonjësit me eksperiencë. Sipas tij ulja e pagave dhe mungesa e kushteve për punonjësit ka ulur nivelin e sigurisë.
Pavarësisht se nuk kam informacione se cilat janë shkeljet e punonjësve apo detyra funksionale kur ka ndodhur ngjarja, por ne kemi parë probleme të shumta të mangësive të punonjësve, kemi parë infrastrukturë jo të përshtatshme për këta punonjës dhe kjo ka çuar në uljen e profesionalizmit për të ngritur nivelin e sigurisë në këto institucione.
Përveç pajisjeve për sigurinë ne na mungojnë burimet njerëzore të mira, premtuese për të çuar përpara këtë nivel sigurie. Burgjet sot me një pjesë të mirë të punonjësve janë duke u larguar apo janë larguar dhe kjo ka krijuar një problematikë të fortë të zinxhirit të sigurisë në këto institucione.
Pagat e ulëta, kushtet e vështira të këtyre punonjësve, mosdhënia e gradave pra janë disa problematika që ka krijuar këto problematika me sigurinë. Drejtuesit e institucioneve vendosen nga ana partiake dhe rëndom marrin pozicione ata që bëjnë elozhe më shumë dhe jo ata që kanë një cv të pasur. Duke qenë se pozicionet janë partiake janë të detyruar të ulin presionin e detyrës dhe të bëjnë favore.



