Një raport i Humans Right Watch ka ngritur shqetësimin e ilaçeve të forta qetësuese të përdorura në azilet amerikane. Të moshuarve në azile u jepen antipsikotikë, pa u diagnostikuar mirë dhe pa u informuar për efektet anësore, me qëllim që t’u lehtësohet puna punonjësve të stafit.
Sipas raportit, mijëra të moshuar në azilet amerikane drogohen në këtë mënyrë. Çdo javë, 179 000 të moshuar, shumica e të cilëve të diagnostikuar me demencë, bëhen viktima të kësaj praktike thuhet në studimin “Si trajtohen të moshuarit me demencë në azilet amerikane”.
“Problemi këtu është se këto medikamente nuk përdoren për të trajtuar sëmundjen, por për të vënë nën kontroll sjelljen e të moshuarve që konsiderohen si raste të vështira”, thuhet në raport.
Diederik Lohman i HRW thotë se ky lloj mjekimi do të thotë të drogosh njerëzit për t’i futur në një gjendje qetësie, një praktikë abuzuese që duhet të marrë fund. “Praktikisht kjo bëhet për të lehtësuar punën e stafit”, thotë ai.
Patricia McGinnis, e cila kontribuoi në hartimin e raportit, thotë se kjo praktikë është ndjekur prej dekadash të tëra. “Ilaçi i kthen këta njerëz në zombie. Antipsikotikët mund të shkaktojë vdekje apo probleme me zemrën. Çfarë t’u japim njerëzve që t’u mbyllim gojën dhe të mos i lëmë të enden nëpër korridore? Është më e lehtë të kujdesesh për zombit sesa për njerëz të tillë”, thotë ajo.



