Një 34-vjeçar i shpallur në kërkim dhe i konsideruar nga autoritetet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore është arrestuar në Ksamil, gjatë një operacioni të koduar "Fast".
Në prangat e policisë ka rënë E. K. (Ç.), 34 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë në qytetin e Elbasanit.
Në momentin e ndërhyrjes, ky shtetas ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë.
34-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila e ka dënuar me 4 vjet burgim për veprat penale "Grup i strukturuar kriminal" dhe "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje", ndërsa atij i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet, 9 muaj dhe 9 ditë burgim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



