Eksperti i ekonomisë Pano Soko thotë se çmimi e referencës për pronën, në raport me çmimet reale krijon evazion.
Duke folur për “MCN Economy”, ai deklaroi se çmimet e referencës janë në ato vende ku nuk ka besim.
Soko u shpreh se evazioni fiskal në sektorin e ndërtimit është shumë i lartë dhe tani ka arritur pikun.
Ai ndau bindjen se rivlerësimi nuk do të ndodhë, pasi nëse do të ndodhte fluksi i apartamenteve që do të dilnin në treg, do të ndikonte në mënyrë afatshkurtër uljen çmimin e shitjes së apartamenteve jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë.
Në këtë drejtim tha se me rivlerësimin e pronave do të mbingopej oferta dhe do të kishte ulje çmimesh, por edhe ftohje të tregut.
Nuk ka pse të ketë çmime reference, ne e kemi vënë çmimin e referencës pasi nuk ka besim dhe nuk funksionojnë institucionet. Evazioni fiskal në sektorin e ndërtimit është shumë i lartë dhe mendoj se tani ka arritur pikun.
Nuk ka shtet përveç shteteve të dobëta si puna jonë që të funksionojnë me çmime reference, ti duhet të kesh institucione që të parandalojnë evazionin fiskal.
Duke e mbytur tregun dhe duke mos e lënë të lirë që të jesh produkt i kërkesës dhe ofertës, ti e ke vendosur se sa do të jetë çmimi në Tiranë, Shkodër atje. Kjo mund të rregullojë pjesën e taksave, rrit të ardhurat në shtet, por kjo vret tregun e lirë.
Ka ardhur koha të bëhet diferencimi te pjesa e shtëpisë për banim, shtëpisë së pushimit apo shtëpisë së dytë, sepse mbajtja në të njëjtin nivel është diskriminuese për pjesën më të ulët të të ardhurave të ekonomisë. Se ti nuk mund të trajtosh njëlloj atë që ka vetëm një shtëpi për të jetuar dhe tjetrin që ka 4-5 shtëpi.
Kushdo që shfrytëzon shumë territor do të duhet të paguajë shumë më tepër. Taksa për shtëpinë e dytë është 150 euro në vit. Unë do isha për një ruajtje të çmimit të taksës 0.05% sa është sot, duke e kompensuar defiçitin me taksimin për shtëpinë e dytë, të tretë, të katërt etj.
Sa më shumë hapësirë të përdorësh, aq më shumë duhet të jetë kontributi ynë me taksë. Nëse ka një gjë që e tremb qeverinë sot, është plasja e flluskës së ndërtimit.
Rivlerësimi apo amnistia e taksës, nuk mendoj se do të ndodhë se nëse do të ndodhë, fluksi i apartamenteve që do të dilnin në treg, do të ndikonte në mënyrë afatshkurtër çmimin e shitjes së apartamenteve jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë.
Do të mbingopej oferta, do të kishte ulje çmimesh, njerëzit kanë frikë se mund të humbasin paratë e tyre dhe kjo do të sillte procesin zinxhir që krijon imazhin e plasjes së një flluske.



