
Sixhade tradicionale ukrainase, foto familjare dhe skena baritore në postera të lirë mbulojnë muret e vilës së saj të ngrohur nga një sobë me dru. Të dhënat e vetme të së kaluarës së saj tragjike janë certifikata e lindjes dhe kujtimet e saj.
Në 102 vitet e saj, Liubov Yarosh u ka mbijetuar tre zive të bukës, duke përfshirë "Holodomorin" e viteve 1932-33, kur - nën urdhrat e Joseph Stalinit - fermerëve ukrainas iu hoq çdo drith që prodhonin, për të ushqyer industrializimin e Moskës dhe për të shtypur rezistencën nacionaliste ukrainase.

“Atëherë nuk kishte asgjë për të ngrënë. Ne hëngrëm gjethe bliri… dhe hithra. Këto bimë të egra i bluanim në miell, i piqnim me të dhe i hanim. Kjo është ajo që kemi ngrënë gjatë zisë së bukës”, thotë Yarosh për CNN nga shtëpia e saj në fshatin Khodorkiv, në rajonin Zhytomyr, rreth dy orë me makinë në perëndim të Kievit.
Në moshën 13-vjeçare ajo pa vëllain dhe motrën e saj më të madhe të vdisnin në atë që ishte uria më e madhe masive në Ukrainë. “Isha e ënjtur plotësisht. Më ishin fryrë këmbët, më ishin fryrë krahët. Isha shumë e sëmurë. Mendova se do të vdisja”, thotë ajo për vuajtjet e saj.
Në atë kohë, Kremlini u përpoq të çlironte Ukrainën nga fermerët e pavarur, nga gjuha e saj, nga historia, nga artistët dhe nga pavarësia e saj.
Tre nga nipërit e Yarosh-it tani po mbrojnë vendin e tyre si ushtarë, sepse Kremlini refuzon të njohë pavarësinë e Ukrainës. Dhe kujtimet e saj të tmerrshme të fëmijërisë mbeten të forta.

“Fëmijët e vegjël po vdisnin nga uria. Ata u dërguan në një kamion. Ata hapën një gropë të madhe dhe i hodhën të gjitha brenda. Kishte krahë dhe këmbë... dhe hodhën dhe mbi ta pa asnjë ceremoni,” thotë ajo.
Rreth 90 vjet më vonë, ajo refuzon të pranojë agresionin e fundit. Urrejtja e saj për Rusinë është e dukshme teksa ajo imiton një prerje të fytit. “Duhet t'i shfarosim që të mos mbetet asnjë. Vetëm atëherë mund të ketë paqe”, thotë Yarosh për rusët.
Zemërimi i saj për atë që po i bëhet tokës dhe njerëzve të saj e ka nxitur atë në veprim. Teksa folëm brenda shtëpisë që ajo ndan me vajzën e saj, dy vullnetarë erdhën për t'i dorëzuar pëlhurën e saj.
Ajo kënaqet me detyrat që ka, duke i lidhur fijet e çarçafëve në rrjetë për të bërë kostume snajperi të kamuflazhit për të maskuar ushtarët në bimësi ose borë, që ushtarët ukrainas të vrasin më mirë rusët.
Kjo është logjika sot – dhe trashëgimia e më shumë se 100 viteve të rezistencës kundër përpjekjeve të përsëritura të Moskës si Bashkimi Sovjetik, ose si një regjim autoritar post-sovjetik, për të kolonizuar fqinjin e saj.
Është ende duke u debatuar nëse veprimet e Rusisë në Ukrainë sot përbëjnë një gjenocid. Megjithatë, ekziston një konsensus i gjerë se Rusia po kryen krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Ukrainë.




