
Emisioni “Xhadat” trajtoi temën e klasave digjitale, një projekt, i cili u prezantua në vitin 2015 nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Ky projekt do të përfshinte të gjitha shkollat e vendit tonë dhe synohej të përfundonte brenda vitit 2018.
“Janë përzgjedhur 60 shkolla të mesme të përgjithshme për të qenë pjesë e fillimit të procesit të digjitalizimit me tableta. Ndërkohë që deri në fund të vitit 2018-të pritet që të përfshihen të gjitha shkollat e mesme. Çdo shkollë do të furnizohet me 2 laboratorë digjitale, të cilët përfshijnë: projektor interaktiv, 40 tableta për nxënësit, 15 tableta për sallën e mësuesve dhe laptop për mësuesit. Nga ky projekt përfitojnë rreth 47.000 nxënës”- përshkruhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit.
Emisioni Xhadat bëri një vëzhgim vitin e kaluar në këto 4 gjimnaze të Tiranës: “Sinan Tafaj”, “Partizani”, “Ismail Qemali”, “Qemal Stafa”, ku pyetën nxënësit e këtyre shkollave nëse bënin mësim në klasa digjitale apo jo dhe përgjigjet varionin:
Nuk kemi bërë mësim në klasa digjitale. Tableta s’kemi përdorur kurrë. Apelin e bëjmë me regjistra letre, s’kemi digjitalë. Mësuesit s’kanë kompjutera kur shpjegojnë mësimin, bilës as kompjuterët e klasës ku bëjmë informatikën nuk punojnë të gjithë. Ne shyqyr kemi tabelën e zezë.
Nisur nga ky konstatim emisioni “Xhadat” iu drejtua Ministrisë së Arsimit me një kërkesë për informacion për të mësuar se në cfarë faze është projekti i klasave digjitale dhe përgjigja që morën vijon si më poshtë:
Projekti për klasat digjitale u implementua në periudhën 2015-2017 dhe synonte digjitalizimin e procesit mësimor në arsimin parauniversitar. Nëpërmjet zbatimit të këtij projekti u ofruan shërbimet elektronike si: mësimdhënia digjitale interaktive ( nëpërmjet tabletave dhe laptopit të mësuesit), testimi digjital interaktiv i nxënësve (nëpërmjet projektorit dhe sistemit ineraktiv të testimit). Janë ngritur deri tani 215 klasa intervaktive të shpërndara në të gjithë Shqipërinë. Klasat janë të pajisura me sistem për administrimin e tabletave të nxënësve, me projektor interaktiv dhe sistem interaktiv të testimit. Çdo klasë është e pajisur me 40 tableta dhe nga një laptop për mësuesin. Kanë përfituar 156 shkolla në total dhe investimi vijon të jetë prezent në shkollat ku është aplikuar.
Në vijim të kësaj përgjigje “Xhadat” kërkoi leje nga Ministria e Arsimit për të hyrë në ambjentet e shkollave për të parë se si funksionojnë klasat digjitale, por Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar informoi se e ka të pamundur t’i pajisë me leje, për arsye të masave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë për situatën e krijuar nga pandemia Covid-19.
Bashkëngjitur përgjigjes, Ministria e Arsimit dërgoi edhe një listë të shkollave ku janë prezente klasa digjitale, në të cilën përfshiheshin edhe gjimnazet që trajtoi vjet emisioni “Xhadat”.
Për të qenë më koherent, “Xhadat kreu një vëzhgim së fundmi, me shpresën se këtë vit shkollat do të njihnin klasa digjitale, por edhe pas investigimit të fundit u faktua që ky projekt kishte dështuar, pasi edhe këtë herë nxënësit pohuan që nuk e kishin zhvilluar ndonjëherë mësimin në klasa digjitale.
Nuk kemi bërë mësim në klasat dixhitale. Kemi parë që shkruhet në një klasë “klasë digjitale”, po s’i përdor asnjë njeri... s’na kanë futur ndonjëherë aty. Asnjëherë nuk kemi përdorur tableta gjatë mësimit, ne edhe 5 kompjutera mezi i kemi. Zysha na ka thënë që nuk kanë ardhur fare tableta në shkollë. Apelin e marrin me regjistra të zakonshëm ne, kanë thënë që do vijnë digjitalë, por akoma.



