
Kriza energjitike ndonëse u paralajmërua për muajt e ardhshëm, ka “mbërthyer” disa zona të vendit prej vitesh. Pavarëisht investimeve të kryera në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, banorët denoncojnë dëmet ekonomike dhe errësirën që i ka kapluar.
“Më shumë pa drita. Nuk kemi drita, vijë një orë tërë ditën e ditës, se ç’dreqin kanë. E ndërpresin shumë energjinë”, tha një banor i Lunxhërisë në Gjirokastër.
“Një ditë po një ditë jo, pa drita. Kanë ikur dje në 4 dhe kanë ardhur në 7 të darkës, tani kanë ikur prapë dhe prit kur të vijnë. Pajisjet elektrike po na prishen, kush n ai paguan ne këto?”, tha një tjetër banorë.
“Dritat një herë vijnë një herë nuk vijnë. Pothuajse nuk ka gjithë ditën. Na i kanë ndërprerë në darkë nga ora 11, tani po i ndërpresin në drekë”, shtoi po ashtu një banor tjetër i Lunxhërisë.
Kriza energjitike reflektohet edhe në Lezhë, ku pavarësisht investimeve në linjën elektrike banorët po përballen me ndërprerje të vazhdueshme të dritave. Ata ankohen për dëme tek paisjet elektro-shtëpiake.
“Drita nuk ka që në 12. I njëjti avaz është përditë. Edhe në darkë edhe në drekë”, tha një banor në Ishull Lezhë.
“Ka 4-5 ditë që kriza ka nisur të ndihet. Sidomos ne si lagje ka ditë që pas mesnate fiken dritat deri në 7 të mëngjesit” , tha një tjetër banor.
Edhe fshati Mborje në Korçë në shumicën e kohës ka qenë pa drita. Për 4 ditë me radhë banorët thonë se kanë qëndruar në errësirë.
“Kemi qenë 4 ditë pa drita, ishte këputur një kabull. Vajtëm u ankuam dhe me të lutur 100 herë dhe erdhën një herë” tregoi një banore e fshatit Mborje.
“Gjithmonë kemi pasur probleme. Fshati jonë është i veçantë në rrethin e Korçës”, tha një tjetër banor.



