
Gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri “dekriptoi” mbrëmjen e sotme në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV tenderat pa garë të zhvilluar në periudhën tetor-nëntor 2020.
Sipas Tomorrit në të katër procedurat e zhvilluara në periudhën tetor-nëntor garat janë fituar nga kompani të cilat kanë pasur oferta shumë herë më të larta se sa kompanitë të cilat renditeshin të parat me oferta më të ulëta krahasuar me kompanitë fituese.
“Janë katër procedura të zhvilluara në periudhën tetor-nëntor. Pas bllokimit të ekonomisë qeveria nisi një plan masash për rimëkëmbjen dhe një sërë masash ishin investimet në infrastrukturë. E para ishte Rruga Milot Morinë, ku kanë marrë pjesë 7 kompani dhe garën e ka fituar kompania Salillari me 4.6 milionë euro, 1.2 milionë euro më e lartë se oferta më e ulët. Autoritet skualifikojnë ofertat më të ulëta. E dyta është Rruga Dukaj Sinanaj Tepelen dhe në këtë garë fituese është kompania 2T me 3.1 milionë euro duke skualifikuar katër kompani të tjera me oferta më të ulëta.
Oferta e tretë rruga Palasë Dhërmi ku fituese është kompania Gjikuria me 12.7 milionë euro duke skualifikuar 3 kompani me oferta më të ulëta me diferencë 4.7 milionë euro më pak.
E katërta është mbikalimi i TEG dhe rrugët lidhëse ku nga 7 kompani në garë, kompania Alb Building ka fituar garën”, shpjegoi Tomorri.



