Agron Haxhimali, ekspert për pushtetin vendor, foli në MCN Live mbi raportin e hartuar nga Instituti për Bashkitë e Shqipërisë lidhur me qeverisjen lokale dhe problematikat e saj. Haxhimali tha se Pusteci, Kavaja dhe Vora kanë qenë tre bashki në vështirësi financiare për vitin 2022, duke shfaqur probleme me ndryshimet e lidershipit, menaxhmentin. Haxhimali theksoi se bashkive u mungon 40 për qind e të ardhurave që mund të rikuperoheshin përmes një administrate të mirë.
SPAK-u në kulmin e zgjedhjeve, bashkitë që ishin me problematike, po marrim borxhin, kishim Pustecin që është një bashki me probleme jashtëzakonisht më të mëdha krahasuar me Vorën dhe Kavajën. Më ka bërë përshtypje, që aty u bë fushatë, askush as në pjesën qytetare, grupet e interesit, as nga kandidatët rivalë…Duhet të kishte një garë me programe dhe të evidentonte problemet. Si ka mundësi që në një bashki të fundosur në borxhe, qytetarët i dyfishojnë votat.
Në vështirësi serioze financiare kemi Pustecin, në prag vështirësie kemi Vorën dhe Kavajën. Pa probleme kemi 49 bashki dhe me probleme 9 të tjera. Në total janë 12 bashki me probleme. Këto bashki s’kanë të afta të sigurojnë mjaftueshëm të ardhura që potencialisht i kanë në territor. Fuqia menaxhuese dhe potenciali i qytetarëve dhe bizneseve që paguajnë taksa mund të ketë qenë i ulët. Elementi tjetër janë borxhet e mbartura. 49 për qind e kësaj mase borxhi e përfaqësojnë investimet e kryera, por të papaguara. Po nuk ke para mos e bëj shpenzimin! Si ka mundësi që auditi i brendshëm nuk e konstatoi! Ministritë nuk e kontrolluan. Pjesën më të madhe të detyrimeve të borxhit të prapambetur e ka bashkia e Tiranës, që përfaqëson 23 për qind të volumit të këtij borxhi.
Pastaj renditen disa bashki të tjera që kanë një borxh më të vogël. Vora dhe Kavaja hyjnë te bashkitë mesatare, por pozitën e kanë strategjike. Lidershipi dhe menaxhmenti i bashkisë së Vorës ka qenë problematik pas vitit 2019. Për mua shkaku kryesor që nuk u menaxhua mirë është ndryshimi i lidershipit, sepse janë ndryshuar 4-5 kryetarë. Bashkive u mungon 40 për qind e të ardhurave, që potencialisht janë të mundshme nëse performojnë mirë. Kavaja ka vijë bregdetare dhe turizëm, por edhe aty probleme me lidershipin, s’ka pasur një administratë të mirë.
Një administratë e mirë në këto dy bashki mund ta rekuperojë ekonominë shumë mirë, sepse ka biznese, grupe interesi. Ndryshe nga këto dyja, Pusteci është bashki e vogël dhe potenciali atje është i papërfillshëm, por sërish do një analizë më vete. Nëse do rrisësh shumë shpenzimet, duke shtuar numrin e punonjësve, nuk ke çfarë i kërkon qeverisë, partnerëve dhe donatorëve. Duhet të sigurosh njëherë ekonominë në bashkinë tënde. Jo rrit shpenzimet e tepërta, shto punonjësit në administratë, dhe bën investime dhe s’paguan paratë, dhe normal që bashkitë drejt falimentimit do shkojnë. Ka patur një farë progresi në pastrimin e qyteteve dhe vijës bregdetare. Por sërish menaxhimi i mbetjeve s’është i integruar dhe pastrimi kryhet ende në mënyrë mekanike. Shqipëria ka masën më të ulët, diku 7-8 për qind të riciklimit. Kandidatët në zgjedhje u shmangeshin çështjeve të Ujësjellësit”.
Nga ana tjetër Haxhimali i konsideroi si skandaloze dhe të dënueshme deklaratat e kryeministrit Rama sa i përket pamundësisë për të bashkëpunuar me kryebashkiakë të opozitës.
Deklaratat e kryeministrit kanë qenë skandaloze dhe të dënueshme. Kushtetuta ka përcaktuar të drejtat e pushtetit qendror mbi atë vendor, sa para do të japë. Gjuha e tij s’është aspak normale në një vend demokratik. Institucionet i bashkon ligji s’i bashkon armiqësia, se sot është një kryeministër, nesër një tjetër”.
Haxhimali vuri në dukje një tjetër problematikë, shtimin e numrit të punonjësve nga 49 bashki, që nuk është shoqëruar me rritje të efektivitetit. Ai tha se vetëm bashkia e Patosit nuk ka rritur numrin e administratës.
Në Shqipëri institucionet e qeverisjes vendore janë të varura nga qeveria, por në vendet e tjera s’thotë njeri ty të jap, ty s’të jap. Bashkitë shqiptare janë shumë të varura nga pushteti qendror, rrymat politike. E kanë peshën e qeverisë mbi krye. Ka disa rrugë që mund të dalin nga kjo situatë. A je politikan apo menaxher?! Duhet të pranojmë që kryetarët e bashkisë janë politikan race. Të 61 kryetarët e bashkive janë sade politikanë. Dominanca e pushtetit është më tepër menaxheriale se sa politike. Çështja e menaxhimit lë shumë për të dëshiruar. Një kryetar i mirë hyn me ekipin e vet, ky do jetë nënkryetari, këshilli, qeverisja në hije e pushtetit tim. Gjërat fillohen me këtë lloj strukturimi dhe vizioni. 49 bashki e kanë rritur numrin e punonjësve, vetëm njëra bashki e ka mbajtur numrin e punonjësve. Më duket se është Patosi. Pjesa tjetër e kanë rritur. Unë po ta pranoj rritjen e numrit, por produktiviteti duhet të jetë shumë më i madh”.



