Albin Kurti e ka quajtur nënshtrim ndaj presidentit Thaçi nismën e grupit të LDK-së për mocionin e votëbesimit që rrëzoi qeverinë e tij javën e kaluar. Në një intervistë në KTV, Kurti tha se një grup zyrtarësh të paprovuar në zgjedhjet e 6 tetorit u fuqizuan brenda LDK-së pas takimit me ambasadorin amerikan, Richard Grenell.
“Për mua nuk ka shpjegim tjetër ky lloj nënshtrimi ndaj axhendës presidenciale, të mos jesh askund kundër presidentit, e të marrësh fjalën në seancën e mocionit të mosbesimit e ta akuzosh kryeministrin për tone bolshevike, është e papranueshme”, tha Kurti duke iu referuar ish-zëvendësit të tij, Avdullah Hoti, që u shkarkua menjëherë pas fjalimit në Kuvend.
Kurti tha se do të shkojë nesër në takimin e thirrur nga Thaçi me partitë politike, jo për konsultë, por për t’i paraqitur qëndrimin e tij.
“Këshilltarët e mi ligjorë, e kanë pasur për detyrë ta vlerësojnë ftesën e presidentit, dhe sugjerimi i tyre është që të shkoj në takim nesër, dhe unë do të shkoj si kryeministër në detyrë që ta paraqes në hollësi qëndrimin tim, duke mos e konsideruar si konsultim për qeveri meqenëse ai do të ishte një lloj shkeljeje e Kushtetutës, sepse s’jemi në situatë pasgjedhore”, konfirmoi Kurti.



