Në Rumani po mbahet raundi i parë të zgjedhjeve presidenciale në një klimë të tensionuar sociale, e cila mund të favorizojë kandidatin e ekstremit të djathtë dhe të shënojë një pikë kthese në këtë vend të Evropës Lindore.
Midis trembëdhjetë kandidatëve, kreu i partisë Aleanca për Unitetin e Rumunëve, George Simion, 38 vjeç, duket në një pozicion të favorshëm për t'u kualifikuar në raundin e dytë. Sipas sondazheve Simion mund të marrë 15 deri në 19% të votave, kundrejt 25% për kryeministrin aktual socialdemokrat (PSD) Marcel Ciolacu, 56 vjeç.
Sipas ekspertëve me fjalimet e tij pasionante me ngjyrime mistike dhe konspirative, Simion kapitalizoi, zemërimin e rumunëve të varfër nga inflacioni rekord (10% vitin e kaluar, 5.5% parashikimi në 2024).
Hyrja e Simion në raundin e dytë, më 8 dhjetor, do të bënte zhurmë në këtë shtet (anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s) prej 19 milionë banorësh, i cili deri më tani i ka rezistuar qëndrimeve nacionaliste, duke u dalluar nga Hungaria apo Sllovakia.
Qendrat e votimit u hapën në orën 7 të mëngjesit në Bukuresht dhe do të mbyllen në orën 21:00.



