Partia Demokratike do të nisë procesin e analizës dhe konsultimit me anëtarësinë për ristrukturimin dhe aksionin politikq ë do të zhvillojë në muajt e ardhshëm. Një udhëzim i lëshuar nga kryetari Basha parashikon që ky proces të zgjasë 8 javë dhe nëpërmjet tij synohet të diskutohet edhe aksioni politik i demokratëve për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Sipas udhëzimit të siguruar nga “BalkanWeb”, Basha udhëzon të gjitha degët lokale për faktin se “Partia Demokratike po përgatitet të ndërmarrë një aksion të gjithanshëm politik e legjislativ për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për të forcuar funksionimin demokratik të politikës dhe për të ulur mundësitë për ndikimin e padrejtë të zgjedhjeve përmes shitblerjes së votës, kërcënimit dhe dhunimit të vullnetit të votuesit”.
“Kjo reformë do jetë një kontribut i jashtëzakonshëm, por ajo nuk do të mjaftojë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, nëse ne nuk angazhohemi në aktivitete konkrete në mbrojtje të votës së lirë. Ne do të hartojmë dhe vëmë në zbatim një strategji të brendshme kundër shitblerjes, vjedhjes dhe ndikimit të votës, e cila duhet të përmbajë një plan konkret veprimesh për të parandaluar dhe shmangur tjetërsimin e votës”, – citohet nga udhëzimi i Bashës shpërndarë degëve lokale të PD.



