
Teksa pritet të përfitojnë nga amnistia mbi 380 të dënuar, një numër shumë më i lartë do të përfitojë ulje dënimi dhe po ashtu me mijëra do të mbeten sërish në qeli.
Amnistia ka edhe një tjetër anë të medaljes: Me mijëra procedime penale në të gjithë vendin pritet të pushohen dhe gjithçka e kryer deri më tani nga hetimet policore apo veprimet e prokurorisë do të zerohet.
Emisioni “FactCheck” zbërthehen kriteret ligjore për përfitimin nga amnistia në fazën e ndjekjes penale, sipas materialit bruto:
Amnistia përfshin: Të gjitha çështjet penale në hetim;
Çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi në gjykatë;
Kallëzimet penale që ndodhen në polici apo prokurori;
Pavarësisht datës së regjistrimit; Për veprat penale të kryera deri më 31.12.2025;
Kur dënimi maksimal i parashikuar nga Kodi Penal ose Kodi Penal Ushtarak është deri në 3 vjet burgim ose dënim më i lehtë. Në këto raste, ndjekja penale pushohet dhe procedimi shuhet.
Amnistia nga ndjekja penale nuk zbatohet për një listë të gjatë veprash penale të parashikuara në Kodin Penal, përfshirë:
Vepra kundër jetës dhe shëndetit
Vepra kundër lirisë dhe moralit
Dhuna në familje dhe krimet seksuale
Trafikimi i qenieve njerëzore dhe narkotikëve
Vepra të rënda kundër pasurisë;
Korrupsioni dhe veprat penale në ushtrimin e funksioneve publike
Pastrimi i parave
Krimi i organizuar;
Vepra kundër rendit dhe sigurisë publike;
Pra, çdo vepër e përfshirë në listën përjashtuese të neneve të cituara nuk amnistohet, edhe nëse ka dënim maksimal deri në 3 vjet.
Nga Amnistia e Ndjekjes Penale nuk përfitojnë edhe Personat që i janë shmangur drejtësisë. Individët në arrati ose që i janë shmangur ekzekutimit të drejtësisë nuk përfitojnë nga amnistia. Zyrtarët dhe subjektet nën juridiksionin e SPAK. Nuk përfitojnë: Subjektet që kanë detyrim deklarimi pasurie sipas ligjit nr. 9049/2003; Subjektet e posaçme që gjykohen nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; Çdo vepër penale që lidhet ngushtë me hetime brenda kompetencës së nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale (korrupsion, krim i organizuar etj.). Këto kategori përjashtohen automatikisht, pavarësisht masës së dënimit të parashikuar.



