Policia e Lezhës vijon hetimet për të bërë të mundur zbardhjen e atentatit ku mbeti i plagosur me një plumb në gjoks, 42-vjeçari Aleksandër Deda. Pas ngjarjes, burimet bëjnë të ditur se janë shoqëruar disa persona, të cilët dyshohen se kanë lidhje me ngjarjen. Ndërkohë, grupi hetimor pritet të marrë sot edhe dëshminë e 42-vjeçarit Aleksandër Deda.
Dëshmia e këtij të fundit është kyçe në zbardhjen e ngjarjes, ndërsa vetë i plagosuri merr mjekim në Spitalin e Traumës. 42-vjeçari, mësohet se ka marrë një plumb në pjesën e gjoksit, ndërsa pas ndërhyrjes kirugjikale ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Por si dështoi atentati ndaj “Leksit të druve”? Burimet nga Policia e Lezhës bëjnë te ditur se Alkesandër Deda ishte duke udhëtuar me makinën e tij, kur në një moment është përballur me breshëri plumbash nga një tjetër mjet tip “Audi”. Atë e ka prekur vetëm një plumb, ndërsa ka mundur të manovrojë në rrugë dhe t’u shmanget autorëve që e ndiqnin me shpejtësi.
Menjëherë është kthyer duke iu drejtuar Spitalit të Lezhës dhe gjatë udhëtimit, një automjet tjetër i është vënë në ndjekje. Ndërkohë, teksa udhëtonte me shpejtësu për t’u shpëtuar plumbave, Deda u ka telefonuar të afërmve të tij duke i treguar se çafarë i kishte ndodhur. Ai ka mundur të shkojë deri në afërsi të spitalit, duke humbur edhe një sasi të madhe gjaku. Pas mjekimit që ka marrë nga bluzat e bardha të Lezhës, ai është dërguar menjëherë për në spitalin e Traumës ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.



