Forcat ruse kanë sulmuar gjatë së shtunës qytetin e Lviv në Ukrainë, ku për pasojë pesë persona kanë mbetur të plagosur.
Lviv është përdorur si një qendër pritëse për miliona njerëz që kanë ikur nga Ukraina për në Poloni si refugjatë, duke u parë si një prej qyteteve më të sigurta.
Madje aty janë zhvendosur edhe përfaqësitë diplomatike, pas nisjes së agresionit rus, ku kryeqyteti, Kievi, ishte objektivi kryesor.
CNN sjell pamjet nga sulmet në Lviv, ku duket shtëllunga e tymit.
Lajmi i shpërthimit u bë me dije nga kryetari i bashkisë së Lviv, Andriy Sadovyi i cili tha se pesë persona janë plagosur në sulmet e fundit ajrore në qytetin perëndimor të Ukrainës.
“Si rezultat i një sulmi raketor në Lviv, kemi 5 të plagosur. Informacioni është në përditësim”, shkroi Sadovyi në Twitter.
Ai paralajmëroi se sulme të tjera mund të ndodhin, ndaj u bëri thirrje banorëve që të qëndrojnë brenda.
Duket se një nga objektivat e sulmeve, mund të ketë qenë një rafineri rreth një kilometër e gjysmë nga qendra e qytetit.



