Aktivistja e Eco Albania, Besjana Guri projektin për devijimin e lumit Shushica për të çuar ujë në Himarë, e sheh si prekje të parkut kombëtar të Vjosës, pjesë e së cilit është dhe lumi Shushica.
Duke folur për edicionin e lajmeve të MCN TV, ajo deklaroi se qoftë edhe ¼ e ujit në një park kombëtar nuk duhet të ndodhë.

Në momentin që një zonë është shpallur park kombëtar, aq më tepër në parkun e Vjosës, devijimi i ujit nuk duhet të ndodhë.
Është e vërtetë që leja është dhënë para shpalljes së Vjosës zonë e mbrojtur, por duhet rivlerësuar leja për ujësjellësin Himarë.
Procesi për shpalljen e Vjosës kishte gati një vit që kishte filluar. Bashkia dhe institucionet e tjera duhet të ishin në koherencë me qeverinë për shpalljen e Vjosës park kombëtar.
Nëse si projekt do të ndryshohet patjetër që ka mundësi për adaptimin e projektit.
Ne nuk jemi kundër vetë Ujësjellësit, por mënyra si ky projekt po zbatohet. Banorët e kanë kundërshtuar këtë projekt që në fillim.
Pjesa e poshtme deri në Himarë është ndërtuar. Banorët po ndërmarrin hapa qoftë nga mënyra si po reagojnë, edhe prej këmbënguljes.
Kjo ndërhyrje u takon institucioneve.
Sa i takon vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit për të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të shkallës së parë për mos ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, Guri tha se është një projekt tjetër gjithmonë brenda parkut të Vjosës.
Është një proces i nisur 7-8 vite më parë, kemi hapur një proces gjyqësor ndër të parët për mjedisin.
Ishte fituar në shkallën e parë dhe Gjykata e Apelit e konfirmoi këtë vendim. Është një fitore për Vjosën.
Në rastin e Shushicës urojmë që institucionet të reagojnë në kohë.



