
Nga 39.441 demokratë votuan në referendum për konfirminin e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike, 37.341 votuan pro.
Shifra u bë e ditur nga deputetja demokrate Albana Vokshi, nga përpunimi i të dhënave paraprake, nga kontaktet me 77 degët e Partisë Demokratike.
Numri total i votave të numëruara pra, numri total i pjesëmarrësve është 39.441. Nga këto, rezulton, vota të vlefshme 38.902.
Vota të pavlefshme 539. Nga votat e vlefshme, vota pro kryetarit Sali Berisha 37.341. Vota kundër 1055. Vota abstenim 506.
Suksese kryetarit Sali Berisha për rikonfirmimin e tij në detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike.
Në fjalën e tij pas rezultatit, Berisha shprehu mirënjohje për demokratët që e votuan, por dhe për ata që votuan ndryshe, duke thënë se çdo qëndrim do mbahet shënim.
Jam këtu para së gjithash për të shprehur mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin më të thellë për të gjithë ata demokrate e demokratë, që sot votuan për riafirmimin tim në një votëbesim masiv në krye të Partisë Demokratike.
Një mirënjohje e veçantë shkon edhe për ata që votuan ndryshe. I garantoj se vota e tyre ndryshe, apo kundër abstenim qoftë, do mbahet shënim në kuptimin e asaj që do bëj gjithçka për t’u dhënë përgjigje më të mirë atyre hezitimeve apo vërejtjeve për të cilat ata votuan kundër ose abstenuan. Me votën tuaj keni lënë pa gjumë organizatën kriminale dhe kreun e saj.
Me votën tuaj keni tmerruar mafien e fjalës së lirë! Fitorja jonë është e pashmangshme. Garantoj mafien qeveritare dhe vasalët e saj se lufta jonë është absolutisht e pakompromis. Se fitorja jonë është e pashmangshme. Se ky proces zgjedhor, që mbyllet sot, ka nxjerrë PD-në më të fortë se kurrë në ekzistencën e saj.



