
Avokati i familjes Katsifa, Aleksandhros Likurezos, nuk e përjashton mundësinë e një padie ndaj shtetit shqiptar në lidhje me vrasjen e 35-vjeçarit në Bularat. Në bisedë telefonike për Tema TV, Likurezos akuzon autoritetet shqiptare për mosbashkëpunim.
Avokati Aleksandhros Likurezos, i cili ka marrë përsipër çështjen e vrasjes së Konstadinos Katsifas gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA, nuk e përjashton mundësinë e një padie ndaj shtetit shqiptar. Në një bisedë telefonike me "Tema Tv", zoti Likurezos i ka akuzuar autoritetet shqiptare për mosbashkëpunim.
"Është herët për t'u thënë, nga java që vjen do të shohim. Qendra e çdo përpjekjeje nga ana jonë do të jetë Shqipëria. Vrasja nuk ishte një rastësi. Nën cilat kushte ka ndodhur? Këtë besoj se do ta vërtetojmë së shpejti në bazë të lëvizjeve që do të bëjmë. Tani për tani nuk ka një bashkëpunim të mirë me autoritetet shqiptare. Shpresoj të ketë në të ardhmen, treguesit e parë ishin negativë, që nga momenti ku prokurori i Gjirokastrës nuk lejoi praninë e një mjeku ligjor grek të zotit Vugjuklaki në procesin e autopsisë. Shpresoj që do të ketë një bashkëpunim të mirë dhe se do të zbardhen detajet e ngjarjes tragjike”, deklaroi Aleksandhros Likurezos.
Avokati Aleksandhros Likurezos konfirmon se autoritetet greke nuk po kryejnë hetim, pasi ngjarja sipas tij ka ndodhur në tokën shqiptare.
“Greqia nuk ofron terrenin më të mirë të mundshëm për hetim sepse të gjitha bëhen në Bularat, në Gjirokastër dhe në Tiranë. Qendra e çfarëdolloj hetimi do të jetë Shqipëria", tha avokati.
I pyetur se si u kontaktua nga familja për të mbuluar çështjen, Likurezos shmang përgjigjen duke thënë se kjo është një gjë që nuk i intereson medias.



