Deputeti Ben Blushi u ndal në deklaratën e kryeministrit Rama lidhur me Donald Tramp gjatë fushatës presidenciale amerikane. Në fjalën e tij në Kuvend, Blushi tha se me këtë deklaratë Rama ka future Shqipërinë në një proces zgjedhor të një vendi tjetër. Blushi e cilësoi Ramën “trompist të marrë me qira” në një fushatën zgjedhore amerikane.
Pjesë nga fjala e Blushit
Një pjesë e kësaj salle duartrokiti një njeri që tha se nëse zgjidhet tramp do të ishte fatkeqësi kombëtare. Unë e di pse e bëni dhe nuk kam arsye të pyes. Unë pyes pse Rama erdhi dhe na u ngreh këtu duke u mburrur se ato që ka thënë janë të merituara.
Pse vendosi Rama të rreshtojë Shqipërinë dhe jo veten në krah të një kandidati që për arsyet e veta humbi. Pse për fat të keq është kaq mendjelehtë dhe bosh saç e pamë të fryhej. Unë jam i bindur se në fushatën e zgjedhjeve ameikane nuk e çoi simpatia, por interesi banal dhe meskin. E çoi interesi i vogël për të hapur një deriçka apo për të kapur një selfie. Ai e rreshtoi Shqipërinë në një palë zgjedhje, në të cilat nuk kishte asnjë punë. Si amator profesionist mund të rreshtohej me kë të donte, por si kryeministër nuk e kishte këtë të drejtë.
Ai jo vetëm u rreshtua, por ofendoi dhe fyu një kandidat. As zonja Klinton vetë nuk e bëri, ajo nuk iu lut Zotit në TV që ky njeri t'i humbte zgjedhjet. Hileja dhe mashtrimi që përdori Rama tani i shkëlqen.
Kam parë deklaratat e liderëve të tjerë botërorë. Askush nuk ka folur si Edi Rama. Ka njerëz që nuk janë dakord por askush nuk e ka fyer duke e konsideruar fatkeqësi kombëtare.
Kush i rrezikon marrëdhëniet Shqipëri-SHBA? Ky që fitoi apo ai që bëri një deklaratë që sot nuk e justifikon dot.
Si u fut Rama në fushatën e zgjedhjeve amerikane? Si një trompist i marrë me qera.
Ca është Rama, imam i xhamisë së lagjes që merr përsipër të mbrojë myslimanët nga Trampi?
Ky Parlament ka detyrimin t'ia zbardhë faqen vendit duke denoncuar papërgjegjshëmrinë e kryeministrit, që na rreshtoi në një garë ku ne nuk kishim punë. Ai kishte detyrimin të kërkonte ndjesë. Jo Donald Trampit, por qytetarëve shqiptarë, që për herë të parë që nga viti 1991 u futi në kokë frikën dhe paranojën kundër Amerikës duke dëmtuar sentimentin që shqiptarët kanë si proamerikanë.



