Gjatë ditës së sotme pritet transferimi i Jakup Krasniqit për në Hagë. Kështu ka bërë të ditur, avokati mbrojtës Valon Hasani, i cili ka njoftuar se aktakuza është konfirmuar.
“Krejt çfarë mund të konfirmojë është që ka një bastisje… Aktakuza e cila është konfirmuar, tash duhet të transferohet zotëri Krasniqi në Hagë, besoj gjatë ditës së sotme”, ka deklaruar Hasani.
Ndërkohë që pjesëtarët e EULEX-it po qëndrojnë në oborrin e familjes Krasniqi edhe në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit, që është edhe vendlindja e Jakup Krasniqit, shtëpia e së cilit po bastiset sot në Prishtinë.
Ndërkohë në shtëpinë e tij në fshat nuk ka bastisje, meqë po priten anëtarët e familjes.
08:45h- Gjykata Speciale e konfirmon bastisjen tek shtëpia e Jakup Krasniqit
Mëngjesin e ditës së sotme, zyrtarë të EULEX’it kanë zbarkuar në shtëpinë e ish-kreut të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se është duke kryer operacione në Prishtinë.
Aktualisht njësi të shumta të EULEX-it janë në shtëpinë e Jakup Krasniqit. Sipas njoftimit për media nga Specialja, operacionet po kryhen me ndihmën edhe të Policisë së Kosovës.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Më shumë informacion do të jepet më vonë”, thuhet në njoftim.



