Policia e Elbasanit del me deklaratë lidhur me të arrestuarin e tretë të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka.
Nga hetimet e kryera, i arrestuari i tretë është identifikuar dhe kapur si bashkëpunëtor i dyshuar në këtë krim, ndërkohë që rezulton me precedent të theksuar kriminal në disa fusha, ndër to, për tentativë për vrasje.
Në pranga u vu i dyshuari Nevzat Spaho, 29 vjeç, banues në Prrenjas, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas kishte precedent penal për tentativë për vrasje, armëmbajtje pa leje, shtrëngim me anë të kanosjes/dhunës për dhënie të pasurisë, si dhe për vjedhje.
Ndërkaq, nga hetimet e deritanishme dyshohet se ai është përfshirë në ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e datës 30 nëntor, në ambientin e jashtëm të një karburanti në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku u vra me armë zjarri, shtetasi Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka.
Më herët policia arrestoi 32-vjeçarin Xhino Ago, banues në Elbasan, i dyshuar si bashkëpunëtor, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Gjithashtu u vu në pranga Kujtim Pisha, 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, roja i biznesit.
Nga ana tjetër u shpallën në kërkim shtetasit Marselo Arani, 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe Armando Kola, 35 vjeç, banues në Laç, të dyshuar si autorë të vrasjes, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.



