E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Doris Madhi ka reaguar ashpër pas përjashtimit të saj nga Partia Demokratike, duke e cilësuar vendimin si të pabazuar dhe të padrejtë.
Madhi tregoi se u përball me një situatë të papritur në momentin kur shkoi të votonte si anëtare e PD për zgjedhjen e kryetarit të ri, ku iu komunikua se konsiderohej “armik i rrezikshëm” për shkak të një bashkëpunimi të pretenduar me pushtetin.
“Unë isha më e rrezikshme si armike, sepse kisha bashkëpunuar me pushtetin. Nuk e kisha vlerësuar veten kaq shumë,” u shpreh ajo, duke ironizuar akuzat ndaj saj.
Sipas Madhit, fillimisht pretendimet ishin për bashkëpunim me Partinë Socialiste, ndërsa më pas narrativa ndryshoi, duke u zëvendësuar me një tjetër akuzë për lidhje me PSD. Ajo theksoi se nuk është vënë asnjëherë në dijeni për prova konkrete.
Ai që është i deleguari për procesin zgjedhor, Arben Broja, më tha se kemi fakte dhe prova që keni bashkëpunuar me PS. Në atë moment reagimi im ishte: duhet të mi bënit të ditura faktet dhe provat.
Ajo shtoi se ndaj saj është ndjekur një procedurë arbitrare, pasi emri i saj është hequr nga lista e votuesve pa një vendim të shkruar apo një njoftim zyrtar.
“Kanë zgjedhur rrugë institucionale, unë do të pres vendimin. Një vendim të shkruar që jam e pezulluar apo përjashtuar. Në mënyrë arbitrare shkojnë dhe të heqin emrin nga lista e votuesve,” u shpreh ajo, duke nënvizuar se ka dhjetë vite kontribute në PD.
Në fund, Madhi hodhi poshtë edhe pretendimet për bashkëpunim me PSD, duke sqaruar se prania e saj në një situatë të përmendur lidhej me një thirrje private nga miq të saj për të reaguar ndaj një problematike gjatë procesit zgjedhor.
Ekziston një foto që jam thirrur nga dy miq të mi privatisht, që më thonë se po tentohej të kalonin vota të pavlefshme. Me influencën modeste, shkova, bërtita në interes të opozitës.



