
Viti i fundit ka shënuar një prirje në rritje, në shkallë globale, për t'u ballafaquar me abuzimet e autokratëve. Në raportin e publikuar sot, Human Rights Watch konstaton se lajmi i madh i vitit të kaluar nuk është vazhdimi i tendencave autoritare, por kundërshtimi në rritje ndaj tyre. Kjo mund të shihet në përpjekjet për t’u rezistuar sulmeve ndaj demokracisë në Evropë, parandalimi i gjakderdhjeve në Siri, vënia para drejtësisë e autorëve të spastrimit etnik kundër myslimanëve Rohingya në Myanmar, ndalimi i bombardimeve dhe bllokimeve të civilëve jemenas të udhëhequr nga Arabia Saudite, ndalimi i armëve kimike dhe kërkesa për një hetim të plotë për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.
Sipas raportit, forcat populiste dhe prirja e tyre për intolerancë e gjuhën e urrejtjes po nxit një rezistencë që vijon të fitojë beteja. “Fitorja nuk është e sigurt, por sukseset e vitit të kaluar sugjerojnë se abuzimet e sundimeve autoritare po nxisin një kundërsulm të fuqishëm të të drejtave të njeriut”, thotë në prezantimin e gjetjeve të raportit drejtori ekzekutiv i Human Rights Watch, Keneth Roth.
Raporti evidenton protestat kundër qeverisë së Viktor Orbanit në Hungari, pas mbylljes së universitetit të financuar nga Soros dhe pas të ashtuquajturit “ligji i skllevërve”. Si kundërpërgjigje vlerësohet votimi i masës së Parlamentit Europian, i cili miratoi një procedurë që mund të çojë në sanksione ndaj Polonisë në bazë të nenit 7 të Traktatit të BE-së.
Protestat në Poloni shihen gjithashtu si rezitenca e qytetarëve në mbrojtje të gjyqësorit, pavarësia e të cilit kërcënohet nga partia në pushtet. Në funksion të kësaj erdhi edhe vendimi i Gjykatës Europiane.
Përtej kufijve të saj, BE-ja dhe disa shtete anëtare kanë treguar një lidership të dukshëm në çështjet e të drejtave të njeriut. Holanda, Belgjika, Luksemburgu dhe Irlanda, së bashku me Kanadanë, morën rolin udhëheqës për të siguruar që Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut të refuzonte një përpjekje të fuqishme saudite për të shmangur shqyrtimin e krimeve të dyshuara të luftës në Jemen. Pas vrasjes së gazetarit, Gjermania i pengoi 18 zyrtarë sauditë që të hynin në zonën Shengen, ndërkohë që së bashku me Danimarkën dhe Finlandën ndaluan shitjen e armëve në mbretëri. Ky presion mund të ketë kontribuar në marrëveshjen e koalicionit të drejtuar nga Arabia Saudite gjatë negociatave të udhëhequra nga OKB-ja për një armëpushim rreth portit të Hodeidah në Jemen.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe ministri i jashtëm, Heiko Maas, kanë kritikuar publikisht Presidentin rus Vladimir Putin, presidentin e Kinës Xi Jinping dhe presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe shtypjen e opozitës politike, aktivistëve dhe gazetarëve. Për dy vitet e ardhshme, Gjermania do të jetë anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke ofruar mundësi për Berlinin të japë shembullin e vet.
Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Donald Trump kërkoi të mobilizonte mbështetësit e tij duke u përpjekur t’i portretizonte azilkërkuesit që iknin nga dhuna e Amerikës Qendrore si një krizë kërcënuese për vendin. Demokratët në opozitë morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e mesit të mandatit, pjesërisht për shkak se votuesit e hodhën poshtë frikë pështjelluese që krijoi Trump.
Kosova, progres i ngadaltë
Raporti prej 674 faqesh analizon të drejtat e njeriut në mbi 100 vende të botës. Të dhënat për Shqipërinë mungojnë, por në raport është pasqyruar Kosova.
Sipas raportit, në Kosovë, progresi në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, gjatë vitit të kaluar, ka qenë i ngadalshëm.
Raporti evidenton “planin kontrovers” për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë si mundësi për zgjidhjen e problemeve të tyre. Kjo ka ngritur shqetësime për të drejtat e njeriut, në rast të transferimit të popullatës.
Në pjesën e përgjegjësisë për krimet e luftës, raporti thotë se funksionimi i Gjykatës Speciale, që do t’i trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë, nga ana e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është shtyrë, për shkak të ndërrimit të prokurorit special.
Organizata Human Rights Watch përmend ngritjen e akuzave për krime lufte kundër një ish-oficeri të policisë serbe për pjesëmarrjen e tij të dyshuar në vrasjen e dy civilëve shqiptarë në vitin 1998.
Organizata thekson se tensionet ndëretnike në Kosovë kanë vazhduar edhe në vitin 2018, sidomos në pjesën veriore.
Në raport kujtohet rasti i vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviç, jashtë zyrës së tij në Mitrovicë, si dhe sulmi me gurë ndaj dy autobusëve me pelegrinë nga Serbia që udhëtonin drejt një manastiri ortodoks në veriperëndim të Kosovës.
Human Rights Watch thotë se pakicat si romët dhe egjiptianët kanë vazhduar të përballen me probleme në aksesin në kujdesin shëndetësor, ndihmën sociale dhe shkollim.
Sipas të njëjtit, dhuna në familje mbetet e përhapur në Kosovë, ndërsa reagimi i policisë është i dobët.
Te pjesa për personat e zhvendosur, raporti thotë se gjatë 10 muajve të parë të vitit të kaluar, Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë ka regjistruar 232 kthime vullnetare të pjesëtarëve të pakicave etnike në Kosovë. Shifra është më e ulët se në periudhën e njëjtë të vitit 2017, kur janë regjistruar 343 të kthyer.
Sipas të njëjtit, kërcënimet dhe sulmet kundër gazetarëve kanë vazhduar edhe në vitin 2018, ndërsa hetimet dhe përndjekjet kanë qenë të ngadalshme.
Human Rights Watch citon Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës të ketë thënë se në periudhën janar-shtator ka regjistruar 13 raste të kërcënimeve dhe dhunës kundër gazetarëve. Policia, në kohën e hartimit të raportit, ka qenë duke i hetuar ato.
Raporti, mes tjerash, përmend edhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova në muajin mars, duke thënë se ata kanë pasur vendbanim të ligjshëm në Kosovë dhe se janë dëbuar pa ndonjë proces paraprak dhe duke shkelur masat kundër dëbimit të dhunshëm.



