Presidenti i Koresë së Jugut, Yun Seok-gil deklaroi sot se do të konsideronte pezullimin e marrëveshjes ushtarake të nënshkruar nga Seuli dhe Pheniani në vitin 2018 nëse Koreja e Veriut “shkel” përsëri hapësirën ajrore të Koresë së Jugut.
Yun u kërkoi këshilltarëve të tij të sigurisë kombëtare që të konsiderojnë pezullimin e marrëveshjes ushtarake të 19 shtatorit nëse Koreja e Veriut bën provokime të reja duke shkelur hapësirën tonë ajrore.
Kështu u tha gazetarëve një zëdhënëse presidenciale e Koresë së Jugut.
Marrëveshja, e cila u arrit në vitin 2018 gjatë një samiti në Phenian, kishte për qëllim të zvogëlonte tensionet përgjatë kufijve të dy shteteve duke krijuar “zona të sigurta” detare.
Në atë kohë, palët ranë dakord që të ndalonin stërvitjet e ndryshme ushtarake kundër palës tjetër përgjatë vijës së demarkacionit që ndan Korenë e Veriut dhe atë të Jugut.
Por Pheniani e shkeli marrëveshjen në mënyrë të përsëritur gjatë vitit 2022.
Z. Yun bëri gjithashtu thirrje për prodhim në shkallë të gjerë deri në fund të vitit të dronëve të përmasave të vogla që do të jenë të vështira për t’u zbuluar dhe krijimin e një njësie me shumë qëllime, në mënyrë që vendi të mund të fitojë aftësi për kundërsulm.
Braktisja e marrëveshjes së vitit 2018 do të rriste rrezikun e tensioneve më të larta ushtarake dhe konfliktit aktual kufitar.
Kështu i tha AFP, Hong Min i Institutit Korean për Unifikimin Kombëtar.
Në vitin 2022, Koreja e Veriut hapi në mënyrë të përsëritur zjarr me artilerinë e saj mbi “zonat e sigurta” detare të përcaktuara nga marrëveshja.
Javën e kaluar, Pheniani dërgoi pesë UAV (mjete ajrore pa pilot) në hapësirën ajrore të Koresë së Jugut, njëra prej të cilave arriti në kufijtë e kryeqytetit Seul.
Shkeljet i shtynë ligjvënësit e Koresë së Jugut në pushtet të shumëfishojnë thirrjet e tyre për braktisjen e marrëveshjes dypalëshe të vitit 2018.
Pas shkeljes nga dronët e Koresë së Veriut, incidenti i parë i tillë në pesë vjet, Ministria e Mbrojtjes kërkoi falje që ushtria nuk ishte në gjendje të qëllonte, pavarësisht uljes së nxituar të avionëve luftarakë dhe helikopterëve.



