Avokati Besnik Muçi duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv tha se në vlerësimin e tij Gjykata Kushtetuese duhet të pezullojë vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës, pas ankimimit të këtij të fundit.
Muçi thekson se loja tani është te Presidenti, i cili sipas tij nuk duhet t’i dekretojë zgjedhjet pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Është çështje e diskutueshme nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore. Në vlerësimin tim ankimimi në Gjykatën Kushtetuese duhet të pezullojë efektin e Këshillit të Ministrave, në vlerësimin tim. Argumenti është më i gjerë i kësaj çështje. Gjykata Kushtetuese bashkë me ankimin e Veliajt duhet të shqyrtonte edhe kushtetueshmërinë e nenit 62, pika c. Gjykata Kushtetuese duhet të pezullojë vendimin për shkarkimin e Veliajt dhe të shqyrtojë nëse dispozita është kushtetuese apo jo.
Afati që parashikon ligji është 3 muaj, por ka çështje që mund të zgjasin edhe më shumë. Vlerësoj se kjo është çështje e ndjeshme dhe Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet sa më shpejt. Unë gjykoj që Veliaj duhet ta bënte këtë hap, nëse i qëndron pretendimit që s’është paraqitur në punë për shkaqe të pavarura prej tij. Nëpërmjet këtij shkarkimi ndërhyhet në autonominë e pushtetit vendor. Kryeministri është kujdesur që në bazën e shkarkimit të Veliajt të vendosë nenin 62, pika c, për ta deligjitimuar Veliajn në Gjykatën Kushtetuese, me idenë që GJK s’do ta legjitimojë.
Loja ka ngelur në zyrën e Presidentit të Republikës. Ai do bëjë vlerësimin e parë, që ndodhemi në kushtet për të pezulluar efektet e VKM-së, apo jo. Kjo do jetë përgjigjja e parë institucionale. Gjykoj që Presidenti s’duhet t’i dekretojë zgjedhjet lokale, por duhet të presë që të shprehet Gjykata Kushtetuese”.



