Komiteti i Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës në raportin e fundit ka ngritur një sërë shqetësimesh në lidhje me trajtimin e personave të burgosur në Zvicër. Raporti vë në pah edhe mbipopullimin e burgjeve zvicerane. Në shqyrtim janë marrë kantonet frëngjishtfolëse si Gjeneva, Fraiburgu, Valais dhe Vaud.
Kemi marrë ankesa për keqtrajtim fizik dhe përdorim të tepruar të forcës, duke përfshirë kafshimin nga qentë e policisë, goditje me shkopinj, goditje në kokë, grushte dhe shkelma. Këto pretendime erdhën nga shtetas të huaj, veçanërisht gjatë arrestimit të tyre nga policia
Raporti sugjeron marrjen e menjëhershme të masave për të parandaluar dhe luftuar këtë fenomen. Ekspertët rekomandojnë gjithashtu masa efektive për të ndjekur penalisht oficerët e policisë të implikuar në akte keqtrajtimi. Komiteti u bën thirrje edhe një herë të gjitha autoriteteve kantonale zvicerane të rishikojnë rregullat në lidhje me kufizimet drastike të kontaktit me botën e jashtme dhe mungesën e aktiviteteve për të burgosurit e paraburgosur.



