Artistët nuk i ka penguar as shiu për të vazhduar protestën e tyre kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Ata janë mbledhur përsëri përballë godinës së Teatrit duke vazhduar me kërkesën e tyre që qeveria të tërhiqet nga shkatërrimi i godinës ekzistuese dhe të gjejë një zgjidhje për të ruajtur godinën, që sipas tyre është një monument kulture.
Me një banderolë të madhe, dhjetëra artistë kanë nisur protestën e paralajmëruar "Eja në Teatër' dhe "Mbro Teatrin", ishin disa nga banderolat e mëdha në hyrje të dy godinave.
I pari që mori fjalën në podiumin e improvizuar ishte Alert Celoaliaj duke thënë se teatri është i popullit, dhe ndaj ky i fundit duhet të flasë vetë.
“Teatri u rihap në 1983 në 100-vjetorin e tij, ku teatri i përket popullit dhe jo artistëve. Ne duhet të jemi poshtë dhe duhet të dëgjojmë se çfarë do populli për veten. Faleminderit që jeni këtu sot”, tha Celoaliaj.
Ndërsa regjisori Altin Basha gjatë fjalës së tij tha se qytetarët e Tiranës duhet të mbështesin këtë protestë, pasi është pasuria e tyre kombëtare.
Mes të tjerash, ai tha se pavarësisht faktit se kryeministri Edi Rama është artist, kjo kategori sipas tij është e lënë pas dore.
“Pse këta njerëz dalin në oborrin e teatrit kur Shqipëria udhëhiqet nga një artist? Si është e mundur? Ne duhet të ishim në kushte normale, pasi duhet të ishim komuniteti më i favorizuar. Ne nuk prodhojmë vota. Nuk merremi parasysh nga Ministria e Kulturës. Qeveria shqiptare thotë se s’ka para, dhe ne e dimë që nuk kemi si Gjermania. Por kur shoh që ka lekë për rikonstruksione godinash…mendoj ndryshe. E dimë që ky është një proces i vështirë, që ta zmbrapsim”, tha ai.
Ndërsa aktori Alfred Trebicka deklaroi se në komunitetin e artistëve nuk ka përçarje, por veç mendime të ndryshme. Sipas Trebickës, në këto mendime bëhet diferenca se kush është këllirë dhe kush dinjitoz.
“Nuk duam partinë, por duam Shqipërinë. Dhe u përgjigjemi me qytetari të gjitha thirrjeve. Ishim koshientë se ai takim dje nuk ishte për ne. Ishte për dikë tjetër që të bëhej. Dhe u bë. Shumë mirë që u bë, se u kthjelluam më saktë se ku janë pikësynimet dhe pastrojmë dhe radhët tona. Sepse është abuzuar gjatë gjithë kësaj kohe. Komuniteti i artistëve është i përçarë. Nuk ka përçarje, por veç mendime të ndryshme. Pastaj te këto mendime bëhet diferenca se kush është këllirë dhe dinjitoz. Pasi këllira ka nivel intelektual. Bile duhet të kesh nivel të lartë intelektual që të kesh këllirllëk”, tha Trebicka.
Një nga momentet më emocionuese ka qenë ngjitja në skenë e aktores Roza Anagnosti, e cila shoqërohej nga studentët e saj, aktorët e ardhshëm. Anagnosti tha se "kam ardhur këtu për të mbështetur protetsën se këtu është jeta jonë, kam 35-40 vjet në teatër".
“Sot më kanë shtyrë më tepër ato figura grash që kanë themeluar dhe kanë sakrifikuar shumë për këtë teatër: Yllka Mujo, Margarita Xhepa, Violeta Manushi e etj. Ne jemi vetë instrumenti jonë, prandaj edhe na dhemb shumë, nuk kemi instrument tjetër. Dua të bëhet më e mira”, tha ajo.
Ky teatër është i shumë brezave, jo vetëm yjet që përmendi Roza, por edhe breza të tjerë që janë rritur në këtë teatër. Ky do të jetë dhe i studentëve që ne përgatisim sot. Të gjithë jemi për teatrin dhe vlerat që ai përmban, thanë më tej aktorët.



