Një banesë është shkrumbuar tërësisht në Sukth të Durrësit, duke lënë në qiell të hapur familjen 7 anëtarëshe.
Burimet nga njësia administrative e Sukthit bënë me dije se zjarri ka shpërthyer rreth orës 23 e 30 të natës së shkuar, ndërsa në banesë ka qenë vetëm kryefamiljari 61-vjeçar Vebi Domi i cili ka shpëtuar gjallë.
“Isha në gjumë vetëm kur mori zjarr batanija që isha mbuluar kam dalë jashtë. Kasollen e bagëtisë e kisha tre metra larg doja te nxirja lopën dhe dhitë por flakët i kishin përpirë. Nuk i nxora dot. Shtëpinë e kisha me llamarina mbuluar, po prisnim pranverën të ndërtonim shtëpinë e re se na e prishi tërmeti atë që patëm. Shteti na kompensoi se na i kish dhënë 15,7 milionw lekë por edhe ato u dogjën. Nuk mora dot asgjë veç dola gjallë. Mu dogjën te gjalla bagëtitë. Mu dogj lopa që shisja qumështin e mbanim frymën gjallë. Mbetëm prapë pa shtëpi pa katandi në një çadër” tha në një lidhje telefonike kryefamiljari.
Vebi Domi kërkon ndihmë pasi ka mbetur sërish pa shtëpi në një çadër por këtë radhë fatkeqësia është edhe më e madhe se ajo e tërmetit tre vjet më parë. Nga zjarri i janë djegur edhe bagëtia që ishin pasuria e vetme nga e cila shisnin qumësht të ushqeheshin familja 7 anëtarëshe.
Tre mjete zjarrëfikëse shkuan në vendngjarje por gjithçka ish djegur pasi shërbimi zjarrëfikës u lajmërua me vonesë.



