
Rreth 440 mijë njerëz, 1,13% e popullsisë së rritur spanjolle, deklarojnë se kanë pësuar abuzim seksual në një kontekst kishtar dhe 0,6% kanë qenë viktimë e një prifti ose njeriu të fesë katolike në 50 vitet e fundit.
Gjysma e rasteve, rreth 200 mijë, kanë të bëjnë me të mitur.
Këto janë rezultatet e një sondazhi të kryer në kuadër të një komisioni hetimor për këtë fenomen, i nisur nga Kuvendi dhe i menaxhuar nga institucioni i Avokatit të Popullit.
Investigimi zgjati 15 muaj dhe nisi nga një investigim i madh gazetaresk i El Pais.
Ángel Gabildono, Avokati i Popullit, ia dorëzoi raportin përfundimtar presidentes së Kongresit, Francina Armengol.
Ndër rekomandimet e tij bie në sy “krijimi i një fondi shtetëror për pagesën e dëmshpërblimeve të viktimave dhe për një organ të posaçëm administrativ për krijimin e procedurës së njohjes dhe dëmshpërblimit”. Në një konferencë shtypi, Gabilondo e konsideroi "themelore" dhe "të pashmangshme" që Kisha të kontribuojë financiarisht në këtë fond.
Ajo që ka bërë komisioni janë intervistat me 487 dëshmitarë – 334 prej të cilëve personalisht – dhe shoqata, të cilat kanë bërë të krijohet një ide e qartë për “efektet shkatërruese” të abuzimit te viktimat.
Gabilondo i ka kërkuar pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv që të marrin masa për të garantuar dëmshpërblimin e viktimave, ndërsa kishës i është kërkuar të vërë në dispozicion të gjitha arkivat e saj.
“Disa viktimave u është dashur të përballen me mohim, presion, madje u fajësuan për abuzimet që pësuan. Kisha Katolike nuk është një njeri i vetëm dhe komisioni këshillues ka zbuluar praktika të mira dhe të këqija në të. Kemi vënë re kujdes dhe dëshirë për ta minimizuar fenomenin, por tani nuk është e mundur të bëhet një gjë e tillë. Shoqëria nuk do ta lejonte”, tha Gabilondo, i cili shpjegoi se pozicionet e botës kishtare kanë qenë “më shumë të orientuara drejt parandalimit sesa zbardhjes së rasteve”, citohet ai nga Time. Të hënën e ardhshme, Konferenca Episkopale Spanjolle ka thirrur një asamble për të vlerësuar raportin e Avokatit të Popullit.



