Presidenti Ilir Meta në konferencën javorë për media, foli lidhur me amendamentin e miratuar nga Parlamenti Europian me 15 kushtet për Shqipërinë, për çka theksoi se është e nevojshme plotësimi i këtyre pikave, pasi rrezikohet kthim pas. Sipas Metës, këto janë çështje të vjetra.
“Mendoj se kjo është një çështje e vjetër, në kuptimin e faktit se kushtet janë aty prej vitesh. Duke nisur me krye kushtin e parë dhe të pakalueshëm, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
U bë katër vite që përsëritet në mënyrë të vazhdueshme dhe nga Bundestagu gjerman çështja e zgjedhjeve. Duke nisur nga hetimi i zgjedhjeve lokale në Shijak e Dibër. Kushtet kanë qenë aty, janë këtu dhe duhet urgjentisht të përmbushen në mënyrë që vendi të ketë mundësi reale në një të ardhme të shpejtë që të hedh hapa para. Përndryshe me metodologjinë e re të BE, rrezikojmë të kthehemi pas në drejtim të procesit të integrimit europian që do të ishte dënim i pamerituar për popullin shqiptar”, tha Meta.
Presidenti Ilir Meta foli në këtë konferencë edhe lidhur me faktin se shpreson që palët politike në vend t’i qëndrojnë marrëveshjes së nënshkruar për Reformën Zgjedhore edhe pse, sipas Metës “ajo lë shumë për të dëshiruar në përmbajtje”.
Presidenti Meta u shpreh se vendi është në një situatë kritike mosbesimi dhe “problemeve serioze të legjitimitetit të institucioneve”, duke theksuar se është koha për të kuptuar shqetësimet që vijnë nga partnerët evropianë.
“Qëndrimet i kam bërë të qarta prej kohesh dhe nuk dua të paragjykoj palët, uroj që palët ti qëndrojnë marrëveshjes që kanë nënshkruar që lë mjaft për të dëshiruar në përmbajtje, por e dimë që jemi në situatë kritike, mosbesim të thellë dhe problemeve serioze të legjitimitetit të institucioneve, por është koha për të kuptuar seriozisht të gjitha këto shqetësime që vijnë nga partnerët evropianë, që bëjnë përpjekje për të lënë derën hapur, por nëse dera mbyllet të gjithë shqiptarët e kanë parasysh se kush e ka përgjegjësinë për këtë çështje. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë në monitorim tepër të rreptë, nuk është formalitet, por edhe verifikim në praktikë se si zhvillohen zgjedhjet dhe si plotësohet ky kriter i Kopenhagenit”, tha Meta.



