Kryeministri Rama i ka bërë thirrje naftëtarëve që të ndërpresin grevën e urisë. Rama deklaroi përmes një statusi në rrjetin social, se është i gatshëm të ulet me naftëtarërt e Ballshit dhe të bisedojë me ta.
“I ftoj vëllazërisht ta ndërpresin grevën dhe jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me ta për këtë hall të përbashkët, por jo kështu!Kështu jo, sepse presionet e ultimatumet nuk funksionojnë në asnjë familje dhe punëtorët e Ballshit nuk bëjnë përjashtim nga ky parim i panegociueshëm!
U përsëris naftëtarëve të Ballshit që greva e tyre është e panevojshme, sepse unë jam me ta dhe qeveria është e tyrja! Ne jemi plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit të tyre që është edhe halli ynë dhe është absurde që hallin t'ua qajnë ata që ua shkaktuan”, përmbyll kryeministri Rama.
Ftesës së Ramës i janë përgjigjur disa prej grave naftëtare që qëndrojnë në grevë. Ato janë shprehur se nuk do ta braktisin grevën nëse kryeministri nuk vjen personalisht në uzinën e Ballshit për të biseduar. Grevistet janë shprehur se do të dalin nga greva nëse marrin pagat e tyre të prapambetura.
Kujtojmë se naftëtarët e Ballshit qëndrojnë në grevë prej thuajse një muaji. Fillimisht u ‘ngujuan’ 10 naftëtarë të uzinës të cilët pas 18 ditësh duke jetuar me ujë e sheqer, vendosën ta mbyllin aty grevën për t’i lënë stafetën grave naftëtare.



