
Erla Mhilli, e ftuar në emisionin Bilardo në MCN ka folur për jetën e saj gjatë periudhës në Partinë Demokratike ku u shpreh se ndjen mall për vitet kur PD ishte në pushtet. Ajo tha se do donte ta kishte shfrytëzuar atë periudhë pak më shumë dhe për veten dhe jo të përqendrohej vetëm në punë, por që sipas saj, doktori ishte shumë kërkues. “Më shumë kam mall për vitet kur ishim në pushtet jo mall për Berishën. Mendoj se po të kthehesha pas në kohë do e kisha shfrytëzuar ndryshe, do kisha qenë më e lirshme sepse unë fokusohesha vetëm punë, punë. E kam shijuar pak atë periudhë në pushtet, lirinë e pata më shumë në opozitë. Doktori ishte shumë kërkues, nuk të jepte kohë për të bërë asgjë tjetër përveç punës. Media është atraktive, por mendoj se të gjitha ambientet e punës kanë problemet e tyre. Nuk kam pasur probleme në politikë, sepse të punosh me Berishën është fat. Berisha është shumë strikt në punë, por dhe shumë njerëzor”. E pyetur se ku ndryshon Basha nga Berisha, Mhilli tha se tjetër pasiguri kishte Basha dhe tjetër qasje doktori. “Basha nga Berisha kanë një ndryshim shumë të madh. Tjetër pasiguri kishte Basha dhe tjetër qasje kishte Berisha në marrëdhënie pune. Basha kontrollonte dhe zbardhjen e gjërave që thoshte vetë, e ndryshonte. Unë e konsideroj pasiguri këtë, kërkonte të ndryshonte dhe fjalët e veta, ndërsa me Berishën kjo nuk ndodhte. Berisha s’ka asnjë kompleks të përballet me mediat edhe pse jep gjithmonë atë përgjigje që ai do edhe nëse ti e pyet 30 herë".



