OBSH u mblodh me urgjencë pas varianteve të reja të Covid-19, të cilat mendohet se e kanë rritur ndjeshëm numrin e infeksioneve të reja në nivel global. Pothuajse dy milion njerëz kanë humbur jetën nga më shumë se 91 milion të prekur, por shifrat besohet gjerësisht se janë nënvlerësuar.
"Kur u takuam për herë të parë gati një vit më parë, kishte vetëm 557 raste të sëmundjes që ne tani e quajmë Covid-19", tha drejtori i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në fjalën e hapjes në takimin e urgjencës. Pjesa më e madhe e planetit po përballet me një valë të dytë ose të tretë të pandemisë. Tashmë e goditur rëndë nga një variant i ri, Britania njoftoi të enjten se po ndalonte të gjitha fluturimet nga Amerika e Jugut, Panama dhe Portugalia.
Kjo masë u vendos pas shfaqjes së një variant të ri të infeksionit në Brazil. Ky variant mendohet se prek edhe ata që e kanë kaluar njëherë infeksionin.
Varianti i ri brazilian u zbulua në qytetin Manaus, ku pjesa më e madhe e banorëve e kishin kaluar Covid-19. Ky qytet që besohej se ishte pranë arritjes së imunitetit të tufës nga vala e parë. Hulumtimi i botuar vitin e kaluar sugjeroi që 76 për qind e njerëzve në Manaus ishin prekur deri në tetor.
Megjithatë, në këtë qytet u vu re muajin e kaluar një rritje e papritur e rasteve të reja. Tani atje është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa spitalet po ezaurojnë kapacitetet.
Variante të reja u zbuluan fillimisht në Afrikën e Jugut dhe variantet pasuese në Brazil dhe Japoni kanë ngritur alarm më të madh midis studiuesve për ndikimin e mundshëm në imunitet.
Edhe Franca ka marrë masa të reja kufizuese shkak të frikës nga variantet e reja.
Në Gjermani, kancelarja gjermane, Angela Merkel, bëri thirrje për kufizime më të ashpra.
Libani ndërkohë hyri në bllokim të plotë dhe banorëve u është ndaluar madje edhe të dalin për blerjen e ushqimeve.



