Kokainë e bërë gati, euro cash, mjete për përgatitjen dhe shitjen e drogës e sende të tjera të kundraligjshme janë gjetur nga policia dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat gjatë operacionit të mbrëmjes së kaluar në Tiranë, ku u godit një rrjet i shpërndarjes së kokainës dhe u arrestuan pesë persona.
Rael Luli, 27-vjeç, punonjës policie pranë repartit special RENEA, dyshohet se drejtonte grupin që shpërndante kokainë dhe hashash kryesisht në zonën e njohur si "Parku i autobusave", Kombinatit, Misto Mames, Yzberisht dhe Qytetit të Nxënësve.
Aktualisht janë të shoqëruar në kushte flagrance me provat materiale (kokainë dhe hashash) 5 shtetas: Rael Luli, 27 vjeç, punonjës policie pranë repartit special RENEA; Jurgen Luli, 30 vjeç; Gertjan Harapi, 26 vjeç; Gevi Spahia, 27 vjeç; Ergi Sala, 26 vjeç.
Ndalimi dhe arrestimi i tyre vjen si rezultat i dokumentimit me prova ligjore të veprimtarisë së tyre të kundraligjshme që ata kryenin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Nga kontrolli i realizuar në ambiente dhe banesat që dispononin u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale sende dhe objekte të kundraligjshme si më poshtë:
- 434 gr kokainë;
- 576 gr kanabis, e ambalazhuar;
- 100.6 gr lëndë narkotike e llojit “Ekstazy” e ambalazhuar;
- 18.2 gr fara të dyshuara për kultivimin e bimëve narkotike;
- 7 peshore dhe materiale që shërbenin për ndarjen dhe paketimin e lëndës narkotike;
- Vlera monetare 11,890 euro;
- 3 armë zjarri të llojit pistoletë të markave BRUNI e GLOCK;
- Një krehër metalik brenda së cilës ndodheshin 20 fishekë Mod 56;
- 219 fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme;
- 1 automjet tip Benz;
- 7 aparate celularë;
- Një pajisje me mbishkrimin “GRANADE FLASH-BANG BRZ-M93 P1 TM-1403”, së bashku me mekanizmin e saj metalik tip mashe;
- 2 motoçikleta (pa targa).
Vazhdon puna investigative dhe procedurale në lidhje me dokumentimin dhe implikimin e mundshëm edhe për subjekte të tjera të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale në lidhje me veprimtarinë kriminale të kryer nga shtetasit e ndaluar dhe arrestuar i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.



