
Prefekti i Fierit, Lefter Shehaj thotë se që nga dita e djeshme situata e zjarreve është më e qetë në zonën e Pish Poros, pasi vatrat aktive janë vënë nën kontroll.
Në një lidhje për MCN Live, ai deklaroi se po punohet me forcat zjarrfikëse dhe ato të armatosura për shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit, si dhe nuk ka riaktivizime të reja, vetëm ka kontroll dhe krehje të zonës.
Prefekti bëri të ditur se po punohet në brendësi të vatrave të djegura, për shuarjen e çdo trungu që vazhdon të digjet brenda këtyre vatrave, por garantoi se nuk ka rrezik për banesat apo stanet.
Bëhet fjalë për një sipërfaqe të përshkruar nga zjarret prej rreth 600-700 hektarë, sipërfaqe e përshkruar, e tipologjive të ndryshme, nga sipërfaqe barishte, shkurre, dru dhe bimësi e lartë në pisha.
Flasim aktualisht për sipërfaqe të përshkruar dhe jo për llogaritje të saktë të bimësisë së prekur që humb përfundimisht vlerën.
Kjo i përket një faze të dytë të vlerësimit që do bëhet në prill apo maj të vitit që vjen, kur të shikohet se kush prej bimësisë dhe pishave ka ruajtur aftësinë dhe është rigjeneruar dhe kush prej tyre ka humbur aftësinë rigjeneruese dhe është plotësisht e djegur.
Deri tani ka një autor të dyshuar të arrestuar, për të cilin ka procedim penal të nisur, tani fjala i takon drejtësisë për të përcaktuar se kush ka qenë qëllimi, me dashje apo jo.
Por pavarësisht kësaj ne kemi pësuar një dëm. Zjarrvënia ka shkaktuar një dëm në ekonomi.
Gjithë ata që vendosin zjarr dhe shkatërrojnë pronën me zjarrvënie duhet të dalin para drejtësisë dhe ligji duhet të jetë i pamëshirshëm se zjarrëvëniet parashikohet me 15 vite burg.
Sivjet është viti i parë ku 90% e rasteve të zjarrvënieve kanë autorë mbrapa të cilët janë vendosur në organet e drejtësisë.
Duhet që këta të dënohen në mënyrë që t’i pritet dora kujtdo që tenton të marrë iniciativën për të ndezur një zjarr, qoftë dhe për ata që tentojnë të djegin mbetjet nga bujqësia se situata mund të dalë nga kontrolli.



