Një tender me vlerë rreth 3.5 milionë euro për regjistrimin dhe rifreskimin e të dhënave të pasurive në 15 bashki të vendit ka rikthyer në vëmendje problematikat e procesit të regjistrimit fillestar të pronave, një proces që prej vitesh vijon të shoqërohet me mbivendosje, konflikte pronësie dhe procese gjyqësore.
Në një diskutim në ‘MCN Economy’, ish-zëvendëskryeregjistruesi Flamur Çollaku, juristja e specializuar për çështjet e pronësisë Elona Berki dhe inxhinieri Raimond Dervishi analizuan problematikat e regjistrimit fillestar dhe kostot e procesit, duke ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën se si po zhvillohet puna në terren.
Çollaku e konsideroi vlerën e tenderit të lartë, duke e krahasuar me një procedurë të zhvilluar vite më parë për një numër të konsiderueshëm zonash kadastrale. Sipas tij, problematikat nuk lidhen vetëm me koston, por edhe me mënyrën se si po realizohet regjistrimi fillestar.
Në fakt regjistrimi fillestar ka ardhur duke evoluar, se në ’94 ne nuk e kishim përvojën e sotme, por për 13 vite që vazhdojnë këto procedura nuk kanë ecur me ritmet e duhura dhe për t’iu bashkuar procesit evropian. Unë e kam parë materialin mediatik për 3.5 milionë euro dhe më duket shumë i fryrë në shifra. Një tender që kemi bërë në 2011 ka qenë për 20 zona kadastrale, 2.4 milionë euro. Tani një zonë kadastrale e qytetit mesatarisht ka 1-11 mijë pasuri. Tani zona më e madhe ka qenë ajo e Ujit të Ftohtë. Përsëri këto shifra janë të tejkaluara.
Ai solli në vëmendje edhe vonesat në përfundimin e proceseve të mëparshme të regjistrimit, veçanërisht në zonat bregdetare, duke argumentuar se afatet e parashikuara nuk janë respektuar.
Ka një problem, një nga tenderat që u tha do bëhej për një muaj ka qenë zona bregdetare dhe akoma s’kanë përfunduar. Tani besoj këtu është Elbasani që ka tre zona, Delvina, gjithmonë bregdeti dhe zonat turistike janë, por ky tender më duket shumë i fryrë. Diçka tjetër, regjistrimi fillestar të gjithë çështjen e ka te harta, por defekti është se kompanitë private s’duhet ta bëjnë fare regjistrimin fillestar. Nuk ka kapacitet, burime njerëzore që një kompani private të shohë vendimin e komisionit, se nuk është më i fuqishëm ai punonjësi i kompanisë se ai i zyrës.
Sipas tij, një tjetër problem lidhet me terminologjinë dhe mënyrën e pasqyrimit të pronave në kartelat e pasurisë, duke argumentuar se përdorimi i termave të caktuar ka prodhuar ndër vite konflikte pronësie.
Nuk ka rregullore dhe s’janë përcaktuar termat për regjistrimin. Duhet të heqim fjalën ‘shtet’ në kartelë, sepse ka sjellë mijëra konflikte në Shqipëri. Fjala shtet nuk do të thotë se e ka shteti pronën, por do të thotë se është tokë pa pronar. Shteti është subjekt. Duhet të hiqet fjala ‘okupuar’. Të gjitha këto gjenerojnë konflikte. Po të shkosh në vend të bësh matjet, po s’mund të punosh me hartat e vjetra dhe ta përshtatësh.
Edhe juristja Elona Berki e vuri theksin te problematikat e akumuluara ndër vite, duke përmendur veçanërisht mbivendosjet e pronave dhe konfliktet që kanë përfunduar në gjykata. Sipas saj, fakti që procesi i regjistrimit ka nisur që në vitin 1994 dhe ende nuk është përmbyllur tregon për vështirësinë e procesit.
Procesi i regjistrimit fillestar ka nxjerrë shumë problematika në pah, si mbivendosja e pronës e mbartur dhe trashëguar prej vitesh. Është tentuar që nga ’94 të bëhet regjistrimi, pra ka shumë vite që kur është formuar Kadastra Shqiptare dhe nuk është arritur sot e kësaj dite, edhe pse ka tentuar disa herë. Për shembull, zona e jugut, bregdeti, nuk pati një konkludim, sepse interesat në lojë janë shumë të larta. Në pronë, nëse kemi konflikt interesi me palë të dyta apo të treta, sot ndodhen në procese gjyqësore të zgjatura.
Ajo argumentoi se një pjesë e problematikave të pronësisë lidhen me aspektin teknik të regjistrimit dhe me hartat, ndërsa konfliktet gjyqësore shpesh lidhen edhe me origjinën e pronës dhe mbivendosjen e dokumentacionit.
Defekti thelbësor i pronës është te mjetet. Duhet t’i drejtohet topografit apo inxhinierit. Në gjykata përfundojnë për probleme të tjera, origjina e pronës dhe hartat e mbivendosura. Dua të dal diku tjetër: është deklaruar se është mbyllur 95%. Tani kjo 3.5 milionë po paguhet për këtë 5%.
Nga ana tjetër, inxhinieri Raimond Dervishi u ndal te vetë koncepti i regjistrimit fillestar, duke sqaruar se ky proces nuk lidhet drejtpërdrejt me krijimin apo njohjen e titullit të pronësisë, por me evidentimin fizik të pasurive të paluajtshme në terren.
Regjistrimi fillestar s’ka të bëjë me titullin e pronësisë dhe regjistrimi fillestar është diçka masive, e bërë nga ekipe të specializuara, deri tani e bërë dhe me kompani private. Pra regjistrohet gjithçka që kap syri i njeriut në terren, ka pronar apo jo, ka posedues apo jo. Pra gjithçka që konsiderohet pasuri e paluajtshme regjistrohet dhe rruga është ky regjistrim fillestar.
Ajo që është shumë alarmante, që ne e kemi ngritur zërin shpesh, është se si në rastin që e bëri Zyra e Kadastrës Dixhitale, si kompani private, s’ka një manual teknik se si duhet organizuar. Duhet të ndajmë se çfarë quajmë pasuri të paluajtshme. Çdo inxhinier që shkon në terren nuk di çfarë të konsiderojë pasuri të paluajtshme. Kompania apo zyra, për të arritur atë normën, alarmi është se s’ka një manual që të përcaktojë se çfarë është pasuria.
Dervishi tha se vendosja e normave të caktuara për punën në terren, pa një standard të qartë teknik dhe pa marrë parasysh realitetin konkret të çdo zone, mund të sjellë sërish mbivendosje dhe pasaktësi në regjistrim.
Janë vënë ca poligone që të tregojnë që ne e bëmë punën. Kjo ndodh se kërkohet një normë, por s’janë të evidentuara sipas realitetit në terren dhe ndodh mbivendosja. Është bërë gabim ky regjistrim fillestar dhe po vijon të bëhet gabim, se ASHK, nëse nuk rregullon një rregullore teknike, kjo do vazhdojë të ndodhë. Procesi është i kushtueshëm.



