Gjatë komunikimit me gazetarët, kryeministri Rama është shprehur edhe përsa i përket vaksinimit nga COVID-19. Sipas Ramës, vaksina do të sigurohet dhe do të nisë brenda dy muajve të parë të vitit 2021. Qeveria është shprehur kryeministri është në komunikime të vazhdueshme me firmat prodhuese dhe me disa shtete mike të BE.
"Data e sigurimit të vaksinës, mund të jetë edhe shumë shpejt", tha Rama. Ai renditi gjithashtu edhe tre problemet që janë aktualisht për shpërndarjen e vaksinës, por në fjalën e tij kryeministri sulmoi dhe BE-në, kur tha se kanë marrë një vendim “për të na dhënë tepricat”.
Fjala e plotë
Ne jemi cdo ditë në punë për këtë cështje, kini parasysh që tjetër ça thuhet në media e ça komentohet në ekranin tjetër, çfarë është realiteti konkret i situatës me vaksinën. Shifrat e vaksinave që po marrin vendet e mëdha krahasuar me pritshmëritë e tyre janë jashtezakonisht më të ulëta. Nuk po i thonë akoma, do i dëgjoni kur t’i thonë sa kanë marrë për të filluar e do kuptoni që është tjetër gjëja që lëviz pas ekraneve e portaleve që nuk është ende e bërë transparente.
Problemi është që kërkesa është eksponencialisht më e lartë se sa oferta dhe sasia e prodhimit është ku e ku më e vogël se sa nevoja e natyrisht ky është problem i madh në fazën e parë se kompanitë po shtojnë sasitë e prodhimit. Mos harroni që në SHBA është vendosur ndalimi i eksportit të çdo sasie.
Vaksina Pfizer që është vaksina e aprovuar, sasinë kryesore e kanë SHBA. Ky është një problem tjetër. Nuk del asnjë dozë nga SHBA drejt vendeve të tjera. E treta, ne jemi në komunikim me të treja kompanitë të vazhdueshëm dhe Pfizer, Astrozeneca Moderna.
Unë jam shumë besimplotë. Jemi në komunikim dhe me disa shtete mike, se siç e dini BE ka marrë një vendim në këndvështrimin tim goxha për të ardhur keq, por kështu e ka marrë, që për vendet e Ballkanit Perendimor do të jepen tepricat.
Këtu s’ka teprica faktikisht. Këtu ka një problem të madh, për çdo vend që ka shumë më pak se ç’ishin planifikuar. Megjithatë ne nuk do mbetemi pas të tjerëve, e në fillim të vitit të ardhshëm do nisim të vaksinohemi. Se kur është data s’mund ta them.
S’mund të jap më shumë të dhëna, mund të jetë dhe më shpejt, mund të jetë dhe pak më vonë, por brenda 2 muajve të ardhshëm do nisë vaksinimi e pastaj nuk do kemi më asnjë problem.
Për fat të keq, për vaksinën është më shumë se kurrë diplomaci, marrëdhënie personale miqësi, kontakte, domethënë është realisht një luftë e madhe që po bëhet dot pas kuintave nga të gjitha shtetet që të munden të kenë sasi sa më të mëdha.
Është si radhë e qumështit të kohës së dikurshme ku në vend të banorëve që zbrisnin poshtë pallatit e vinin shishet atje janë shtetet. I them të gjithëve të jenë të qetë se kur është puna për të bërë lypësin për Shqipërinë besoj se dimë ta bëjmë më mirë se kushdo tjetër.



