
Yoon Suk-yeol u betua si Presidenti i ri i Koresë së Jugut në një ceremoni madhështore të mbajtur në sheshin e Asamblesë Kombëtare në prani të 40.000 njerëzve, duke marrë detyrën në një kohë tensionesh të shtuara me Korenë e Veriut.
Betohem solemnisht para popullit se do t’i kryej me besnikëri detyrat e mia si President.
Është ky mesazhi i dhënë nga Yoon, një ish-prokuror i përgjithshëm konservator 61-vjeçar, i cili premtoi një qëndrim të pandalshëm ndaj Phenianit, afërsi më të madhe me SHBA-në dhe Japoninë dhe një axhendë konservatore.
Yoon Suk-yeo premtoi të rindërtojë kombin mbi themelet e një demokracie liberale dhe një ekonomie tregu, duke përshkruar sfidat me të cilat përballet vendi, mes pandemisë Covid-19, riorganizimi në zinxhirët e furnizimit global, inflacioni në rritje dhe papunësisë në rritje.
Është thirrja e brezit tonë për të ndërtuar një komb që përkrah demokracinë liberale dhe siguron një ekonomi tregu të lulëzuar, një komb që përmbush përgjegjësitë e tij si një anëtar i besueshëm i komunitetit ndërkombëtar dhe një komb që i përket vërtetë popullit.
Sipas tij, demokracia liberale krijon paqe të qëndrueshme, duke nënvizuar se paqja është ajo që mbron lirinë.
Deri pak më shumë se një vit më parë, Yoon, 61 vjeç, ishte Prokuror i Përgjithshëm i Koresë së Jugut, duke udhëhequr hetimet kundër figurave të fuqishme, si ish-Presidentja e Republikës Park Geun-hye dhe ish-ministri i Drejtësisë Cho Kuk.



